Partitë opozitare shqiptare kanë vazhduar të bëjnë akuza të rënda ndaj qeverisë dhe koalicionit VLEN, se siç thonë opozitarët, kjo Qeveri po i hap dyert gjithnjë e më shumë “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut. Rastin e fundit ata kanë përmendur deklaratën e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Bratislav Gashiq, i cili ka folur për “rrugën e lirisë” dhe “kthimin në atdhe” të ushtrisë serbe në tokën e Maqedonisë së Veriut.
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë dhe alarmon opinionin publik se Maqedonia e Veriut po përballet me një ofensivë të hapur të projektit , siç thonë, famëkeq të “Botës Serbe”. Ky projekt, sipas Integristëve, po manifestohet gjithnjë e më shpesh në mënyrë zyrtare, me praninë dhe me bekimin e përfaqësuesve shtetërorë të vendit.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Pjesëmarrja e institucioneve tona në këto skenarë është jo vetëm provokim i rëndë historik dhe politik, por edhe përpjekje për të relativizuar sovranitetin e shtetit tonë, duke e paraqitur Maqedoninë e Veriut si ‘Republika e tretë serbe’. Kjo është e papranueshme. Është kërcënim direkt ndaj identitetit, stabilitetit shtetëror dhe orientimit euroatlantik të vendit”.
E, në lidhje me këtë rastë, nga Aleanca për Shqitparët e Arben Taravarit janë treguar më të prerë. Ata theksojnë se qeveria VMRO-VLEN po e fut vendin me të dyja këmbët në “Botën Serbe”
ALEANCA PËR SHQIPTARËT, ARBEN TARAVARI
“Fatkeqësisht, qeveria aktuale e VMRO-DPMNE-së bashkë me vazalët e saj të VLEN-it, me heshtjen dhe nënshtrimin e tyre politik, e kanë futur Maqedoninë e Veriut me të dyja këmbët në këtë ‘Botë Serbe’. Duke mos reaguar dhe duke pranuar imponimin e narrativave nacionaliste nga Beogradi, ata po e bëjnë vendin tonë pjesë të një projekti që mohon identitetin dhe sovranitetin e qytetarëve tanë”.
Në vend që të heshtë nga frika e prishjes së raporteve me Beogradin, nga ASH i bëjnë thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme që të reagojë ndaj këtyre deklaratave siç i quajnë ata, provokuese. Sovraniteti i Maqedonisë së Veriut dhe qetësia ndër-etnike shtojnë ata, nuk mund të jenë monedhë shkëmbimi në pazaret politike të VMRO-së dhe VLEN-it. /SHENJA/