Pas 34 viteve pavarësi dhe pas aq shumë vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare si OSBE dhe ODIHR se nuk kemi ndarje të keqpërdorimeve të resurseve shtetërore gjatë fushatës parazgjedhore, për herë të parë kjo administratë tregoi edhe njohuri edhe dëshirë që gjërat të vendosen ashtu siç duhet, para së gjithash të jemi transparentë, të jemi llogaridhënës, ndërkaq të gjithë ne si qytetarët të dimë se cili automjet dhe cili resurs shtetëror përdoret për qëllime partiake. Për herë të parë po bëhet hap përpara në ndarjen e shtetit nga partia, një prej hapave kryesorë të cilët i trajtojmë, deklaroi sot drejtori i Byrosë për siguri publike, Aleksandar Janev në konferencën e përbashkët për shtyp me drejtorin e Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkët të Qeverisë, Ivica Tomovski, me të cilin i prezantuan targat e para të bdrenduara të automjeteve zyrtare.
Janev theksoi se në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme secili keqpërdorim që nuk është paraqitur, hetohet dhe siç tha, secili që ka bërë çfarëdo lloj keqpërdorimi, do të bartë sanksione adekuate.
“Qartë dhe zëshëm e them këtë, ne tashmë në kuadër të Byrosë për siguri publike dhe në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme kemi mbajtur disa takime, kemi hapur aksion operativ ‘Zgjedhjet lokale 2025’, kështu që një prej kahjeve kryesore është nëpunësit policorë të veprojnë vetëm me integritet dhe profesionalizëm dhe të njëjtit duhet të ofrojnë edhe zgjedhje të sigurta dhe të drejta demokratike lokale. Ne jemi një prej hallkave të cilat janë garantuese për realizim të së drejtës më të lartë demokratike, e ajo është e drejta e votës”, porositi Janev.
Lidhur me rregullat e reja për udhëtim në Bashkimin Evropian të cilat hyjnë në fuqi nga data 12 e muajit të ardhshëm, ai paralajmëroi se qytetarët do të informohen me kohë dhe në tërësi, në mënyrë që të mos ketë pengesa në vendkalimet rrugore. Në pyetjen e gazetarëve Janev theksoi se janë në komunikim të vazhdueshëm me partnerët evropianë dhe siç tha sipas paralajmërimeve fillestare dhe rregullativës së tanishme evropiane, qytetarët do të duhet të plotësojnë aplikacione në internet.
“Ne jemi në komunikim intensiv me partnerët tanë evropianë dhe bisedojmë se si tërë kjo të lehtësohet dhe si e tërë kjo të jetë më e kapshme për qytetarët tanë. Problemi më i madh mund të jenë vendkalimet rrugore drejt fqinjëve tanë të cilët janë pjesë e BE-së, sepse obligim i yni është t’i informojmë qytetarët se çka duhet të parashtrojnë dhe sipas rregullativave të tanishme ky aplikacion mendoj se do të shkojë përmes internetit dhe tërë kjo do të marrë kohë të caktuar, do të jetë shkurt, ndërkaq do të jetë me validitet prej dy viteve. Të tilla janë paralajmërimet fillestare, megjithatë informatat zyrtare pasi që t’i marrim nga BE-ja, të njëjtat do të ndahen menjëherë me qytetarët e vendit tonë”, tha Janev.