Kryeministri i Japonisë, Shigeru Ishiba, ka dhënë dorëheqjen pas më pak se një viti në detyrë, duke e çuar vendin drejt zgjedhjes së kryeministrit të katërt brenda pesë vitesh.
Vendimi vjen pas humbjeve të mëdha të Partisë Liberale Demokratike (LDP) në zgjedhjet e fundit, duke krijuar pasiguri të re politike në Tokio.
Dorëheqja e Ishibës erdhi një ditë para një votimi të brendshëm në LDP që pritej ta shkarkonte.
Ai u përball me presion të madh pas humbjes së shumicës në të dyja dhomat e parlamentit, një rënie e mbështetjes publike dhe kritika për menaxhimin e krizës ekonomike.
Largimi i tij nxit një tjetër garë për udhëheqjen e LDP-së, që pritet të zhvillohet në fillim të tetorit. Fituesi do të marrë automatikisht postin e kryeministrit.
Tre figura politike përmenden si pretendentë kryesorë:
Shinjiro Koizumi – Ministër i Bujqësisë, figurë e re dhe djali i një ish-kryeministri të njohur.
Yoshimasa Hayashi – Sekretar i kabinetit, me përvojë të gjerë dhe profil më të qetë politik.
Sanae Takaichi – Konservatore e linjës së ashpër dhe aleate e ngushtë e të ndjerit Shinzo Abe, që mund të bëhet gruaja e parë kryeministre në historinë e Japonisë.
Çfarë sfidash i presin?
Kryeministri i ardhshëm do të përballet me:
Krizën e kostos së jetesës dhe një jeni të dobët, që kanë ulur fuqinë blerëse të qytetarëve.
Marrëdhënie të tensionuara me SHBA-në, përfshirë presionin për të rritur kontributin financiar për trupat amerikane në Japoni.
Rritjen e nacionalizmit në rajon, me Kinën, Korenë e Veriut dhe Rusinë që shfaqin gjithnjë e më shumë solidaritet kundër aleancave të udhëhequra nga SHBA.
Humbjen e votuesve konservatorë, që po largohen drejt partive të reja si Sanseito, duke dobësuar bazën tradicionale të LDP-së.