Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka zgjeruar listën e kandidatëve për zgjedhjet lokale, duke hyrë në garë në disa komuna ku shqiptarët deri më tani kanë qenë më pak të përfaqësuar, shkruan Flaka
Kandidatë të kësaj force politike do të jenë: Suat Shaqiri në Çashkë, Ali Jaoski në Plasnicë, Isamedin Azizi në Butel, Xhemil Qamili në Dollnen, Alija Jaoski në Plasnicë dhe Abib Vexhiu në Krushevë.
Sipas burimeve nga partia, bëhet fjalë për një strategji të re zgjerimi, që synon ta bëjë AKI-në të pranishme në komuna ku deri më tani shqiptarët ose nuk kanë garuar, ose kanë qenë jashtë garës serioze.
“Në këto zgjedhje, për herë të parë, do të garojmë në komuna si Buteli dhe Krusheva, ku shqiptarët po fitojnë hapësirë të re politike,” theksojnë përfaqësuesit e AKI-së.
Në Çashkë, shqiptarët humbën zgjedhjet për pak vota në vitin 2021. Tani, sipas AKI-së, gara mbetet e hapur.
“Çashka është një komunë ku kemi treguar potencial elektoral edhe më herët. Me organizim më të mirë, besojmë se këtë herë mund të kemi fitore,” tha njëri nga aktivistët lokalë.
Në Butel, ku pritet një rritje e dukshme e trupit votues shqiptar, gara shihet si një mundësi reale për surprizë. Dy blloqet maqedonase – LSDM dhe VMRO – tashmë kanë kandidatët e tyre, ndërsa faktori shqiptar mund të bëhet vendimtar.
Në Krushevë, një komunë e vogël por me simbolikë historike, AKI hyn për herë të parë në garë, duke synuar të provojë forcën elektorale edhe jashtë zonave tradicionale shqiptare.
Dollneni aktualisht udhëhiqet nga një kryetar shqiptar i BDI-së, ndërsa në Pllasnicë menaxhimi është në kuadër të koalicionit me BDI-në. Me kandidaturat e shpallura, AKI sfidon edhe këto komuna ku dominimi i BDI-së ka qenë i pandryshueshëm prej vitesh.