Sot, më 6 shtator 2025, Policia e Kosovës shënon 26 vjet nga themelimi i saj.
Më 6 shtator 1999, në pajtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, Misioni i OSBE-së në Kosovë hapi zyrtarisht Shkollën e Policisë, duke nisur trajnimin e parë për kandidatët që do të shërbenin si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Gjenerata e parë e rekrutëve, e cila përbëhej nga 176 pjesëtarë, filloi trajnimin pikërisht në këtë datë dhe më pas, pas përfundimit me sukses të tij, ata nisën detyrën në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij shërbimi të ri.
Në shënim të këtij përvjetori të rëndësishëm, sot mbahet ceremonia qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ku pritet të kujtohet rrugëtimi i këtij institucioni dhe të nderohen të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite në ndërtimin dhe zhvillimin e tij.