Sot në Qendrën rajonale në komunën Aerodrom është vendosur gurthemeli i një objekti të ri të shitjes me pakicë të kompanisë gjermane “Lidëll”. Objekti i ri i “Lidël” në një parcelë përgjatë bulevardit “Video Smilevski-Bato” do të përfshijë një sipërfaqe prej 3.438 metra katrorë me një sipërfaqe moderne shitjeje prej 1.200 metra katrorë dhe 57 vende parkimi.
“Këto nuk janë vetëm numra, por një mesazh se kompania po hyn seriozisht në tregun e Maqedonisë së Veriut me një vizion për rritje dhe zhvillim afatgjatë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në ceremoni.
Sipas Mickoskit, me këtë investim Maqedonia fiton energji të re dhe vende të reja pune dhe është konfirmim se jemi një destinacion i vërtetë për investitorët. Ky projekt, vlerësoi, është fillimi i një kapitulli të ri në shitjen me pakicë me standarde të reja, konkurrencë më të madhe dhe kushte më të mira për qytetarët.
Mickoski kujtoi se investimi i “Lidëll” në Maqedoni zvarritej dhe ishte bllokuar, por se pas zgjedhjes së Qeverisë, ai u zhbllokua dhe u vendos ndër prioritetet kryesore.
“Menaxhmenti i “Lidëll” e pranoi vërejtjen tonë për të rritur përfaqësimin e prodhimit vendas dhe produkteve të RMV-së në raftet e “Lidëll”, gjë që është me rëndësi të jashtëzakonshme sepse mbështet ekonominë lokale dhe ndërton besimin e konsumatorëve se produktet e RMV-së janë më të mirat. Produktet vendase jo vetëm që do të jenë në raftet e “Lidëll” në Maqedoni, por tashmë janë në raftet e “Lidëll” në vendet përreth. Në vitin 2024, eksporti ishte 5 milionë euro, kurse këtë vit presim që të arrijë në 10 milionë euro dhe të vazhdojë të rritet”, tha Mickoski.
Kompania “Lidëll” intensivisht e ndërton edhe objektin e parë të shitjes në vend i cili gjendet në hapësirën ku më parë gjendej “Brikollazh” në komunën e Gazi Babës.
Përfaqësuesja ekzekutive e “Lidëll”, Milena Dragiska-Dençeva, theksoi se në këtë lokacion të ri komunën e Aerodromit do të ndërtohet sipas standardeve më moderne ndërkombëtare dhe jo vetëm që do të ofrojë një pamje fizike moderne, por do të ndërtohet edhe nga materiale ndërtimore ekologjike, me fokus në efikasitetin energjetik.
“Qëllimi është t’u ofrojmë konsumatorëve tanë një përvojë të shkëlqyer blerjeje dhe sigurisht me çmime të volitshme. Zhvillimi i ekonomisë së tregut është shumë i rëndësishëm, prandaj si përfaqësuese e “Lidëll” dua të theksoj përkushtimin afatgjatë që e kemi edhe ndaj qytetarëve. Ne nuk erdhëm këtu vetëm për të bërë biznes, por jemi të përkushtuar ndaj rritjes dhe zhvillimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët, si dhe mbështetjes së prodhuesve vendas, produktet e të cilëve tashmë plasohen në tregjet e tjera të “Lidëll”, tha Dragiska-Dençeva.
Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe ndihmën e ofruar deri te të gjitha institucionet, në nivel qendror dhe lokal.
“Është gëzim i madh për ne që pas disa muajsh t’ua hapim dyert qytetarëve të Komunës së Aerodromit dhe qytetarëve të Maqedonisë. Shpresojmë që me punën tonë do ta fitojmë besimin tuaj dhe ndoshta do të bëhemi një vend i preferuar për blerje”, theksoi Dragiska-Dençeva.
Në vendosjen e gurthemelit të marketit të ri të “Lidëll” morën pjesë zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe kryetari i komunës së së Aerodromit Dejan Miteski.