Partia e Qendrës së Serbisë (Srce) ka reaguar sot ndaj ndërhyrjes së forcave të rendit mbrëmjen e kaluar në Novi Sad, duke e cilësuar atë si një akt të qëllimshëm të regjimit për të provokuar konflikt me qytetarët që po bënin homazhe paqësore viktimave të shembjes së tendës gjatë protestës.
Sipas kësaj partie, prania e xhandarmërisë së pajisur plotësisht dhe e njësive speciale në rrugët përreth kampusit të Universitetit të Novi Sadit konfirmon përgatitjet për represion.
Në deklaratë theksohet se ndërhyrja brutale e policisë dhe xhandarmërisë përfaqëson një vazhdim të “poshtërimit” të qytetit, duke e cilësuar Ministrin e Brendshëm Ivica Daçiç dhe Drejtorin e Policisë Dragan Vasiljeviç si “ekzekutuesit e Vuçiç-it”.
Srce shprehet se është e qartë se urdhri ka ardhur nga vetë Presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili, sipas tyre, ka abuzuar me forcat e rendit për të militarizuar hapësirën publike dhe për të shkelur autonominë e universiteteve në një mënyrë që nuk ishte parë as gjatë regjimit të Millosheviqit.
Partia thekson se dhuna ndaj protestuesve paqësorë, të cilët gëzojnë të drejtën kushtetuese për tubim, nuk është ruajtje e rendit por “terror shtetëror kundër qytetarëve”. Sipas Srce, Vuçiç u lëndua nga numri i madh i qytetarëve që morën pjesë në protestat në Beograd, Novi Sad, Kragujevc dhe qytete të tjera, duke iu përgjigjur thirrjes së nxënësve të shkollave të mesme për të kujtuar 10 muajt nga tragjedia ende pa përgjegjësi.
Në reagim theksohet gjithashtu se, pas dështimit për të mbledhur mbështetës të “paguar”, presidenti serb vendosi të përdorë forcën brutale, shkopinjtë e gomës dhe sprejin me piper si mjet frikësimi, duke synuar të rikthehej tek gjuha e vetme që ai kupton – ajo e dhunës.
“Ky sulm dërgon dy mesazhe të qarta – se kritikat ndaj autoriteteve nuk do të tolerohen më dhe se përcaktimi i përgjegjësisë do të ndodhë menjëherë pas ndryshimit të regjimit”, përfundoi deklarata e Srce.