Aleanca për Shqiptarët ka riafirmuar sot bindjen se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar dhe shtetformues, rol i cili duhet të garantohet dhe respektohet në çdo institucion dhe nivel vendimmarrjeje.
Në një deklaratë për media, zëdhënësja e ASH-së, Njomza Shaqiri, tha se ka ardhur koha për një marrëveshje të re politike ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, e cila do të bazohet mbi barazi reale, respekt të ndërsjellë dhe partneritet strategjik.
“Koha është për barazi reale mes shqiptarëve dhe maqedonasve, respekt të ndërsjellë dhe partneritet strategjik. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një shoqëri të qëndrueshme dhe një shtet modern, europian dhe të barabartë për të gjithë,” theksoi Shaqiri.
Platforma politike e ASH-së udhëhiqet nga tre parime themelore: Tradita, Përgjegjësia dhe Zhvillimi. Sipas saj, këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet vizioni për një shtet funksional dhe efikas, ku shqiptarët dhe maqedonasit ndërtojnë së bashku një të ardhme më të mirë.
Shaqiri theksoi se prioritet i Aleancës për Shqiptarët është:
• zhvillimi vendor i balancuar,
• decentralizimi real,
• mbështetja për rininë, familjet dhe bizneset vendore,
• mbrojtja e gjuhës, traditës dhe identitetit shqiptar.
Ajo shtoi se ASH është e vendosur të mbrojë identitetin shqiptar dhe trashëgiminë kombëtare, duke promovuar njëkohësisht lirinë individuale, pronësinë private, ekonominë e tregut dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
“Ne do të jemi zëri i barazisë së vërtetë dhe garant i interesit kombëtar shqiptar,” u shpreh zëdhënësja e Aleancës, duke shtuar se përfshirja aktive e qytetarëve dhe bashkëpunimi me diasporën shqiptare mbeten elemente kyçe të platformës politike të ASH-së.