Pas tetë viteve të suksesshme në krye të Halkbank AD Shkup, drejtori i përgjithshëm Bilal Suçubaşı do të vazhdojë karrierën e tij profesionale si udhëheqës i Halkbank Katılım në Turqi. Vendimi për formimin e bankës së re partipative me degë u mor nga Bordi i Drejtorëve i Halkbank Turqi në maj të këtij viti, duke ia besuar drejtimin pikërisht Suçubaşit, përcjell TV21.
Suçubaşı e mori drejtimin e Halkbank Shkup në vitin 2017, ndërsa mandati i tij vitin e kaluar u zgjat edhe për dy vite. Nën lidershipin e tij, banka e ka forcuar dukshëm pozitën në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut, duke u shndërruar në një markë të qëndrueshme dhe me rritje të vazhdueshme. Klientët gjithnjë e më shumë i besuan Halkbank-ut, duke e bërë këtë besim treguesin më të madh të suksesit.
Në fund të vitit 2016, arkiva e bankës ishte 582 milionë euro, ndërsa në fund të vitit 2024 arriti në 1.852 milionë euro – një rritje e fuqishme falë aktivitetit të shtuar dhe besimit të tregut. Në të njëjtin vit, banka mbylli vitin me një portofol kreditor prej 1,17 miliardë euro, një baze depozitash prej 1,325 miliardë euro dhe fitim mbi 30 milionë euro.
Halkbank është pozicionuar si një nga bankat sistematikisht më të rëndësishme në vend, gjithnjë më afër tre bankave më të mëdha. Njëkohësisht, ajo është bërë lider në digjitalizimin e shërbimeve bankare, duke sjellë inovacione dhe produkte të reja teknologjike për klientët.
Përveç sukseseve financiare, Suçubaşı i kushtoi vëmendje të madhe edhe përgjegjësisë shoqërore, duke e bërë Halkbank një institucion të njohur për angazhimin në mbrojtjen e mjedisit dhe mbështetjen e komunitetit. Sot, Halkbank njihet si një markë që jeton sipas sloganit të saj: “Të rëndësishëm janë njerëzit”./TV21