Pacientët privat dhe intervenimet private edhe në institucione shëndetësore shtetërore, nuk i mbulon Fondi Shëndetësor. Kështu deklaron drejtori Sasho Klekovski, i cili theksoi se nuk ka pasur komunikim me profesorin Kedev dhe nuk e di për sa raste të dyshimta bëhet fjalë, por beson se nëse janë bërë keqpërdorime, ato do t’i zbardh Komisioni për Mbikqyrje Profesionale për punën e institucioneve të kardiologjisë dhe kardiokirurgjigjisë, në të cilin Komision Fondi përfaqësohet nga dy anëtarë. I pyetur se sa objektiv mund të jetë ky komision i formuar nga ministri Azir Aliu, Klekovski shprehet se aty ka protokolle të caktuara në bazë të cilave duhet të veprohet.
Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor
“Mund të zgjedhim të besojmë ose jo. Komisioni ka doktorë profesionist të të gjitha klinikave. Për shumicën e procedurave që i financojmë ne, ka protokolle të caktuara sipas të cilave veprohet. Unë nuk besoj se në një komision të këtillë mund të ndikohet disi. Në parim, atje ende diskutohet metodologjia, njëra që të jetë pasi të dorëzohen rastet dhe tjetra të bëhet ‘kontrollë e verbër’”.
Ai i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që mendojnë se kanë paguar diçka për të cilën nuk është dashur dashur të bëhet dhe të paguhet, ta denoncojnë rastin.
Të njëjtin apel e ka bërë sot edhe ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë
“Ministria e Shëndetësisë njofton se të gjithë qytetarët kanë mundësi të raportojnë informacione për parregullsi të mundshme në lidhje me kryerjen e ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiovaskulare, përmes platformës ‘Raportoni parregullsi’, e cila është e disponueshme në faqen zyrtare të MSH”.
Ministria e Shëndetësisë rikujtoi se ka dërguar shkresë në institucionet publike shëndetësore që të dorëzojnë të dhëna për numrin e përgjithshëm të procedurave dhe operacioneve të kryera gjatë periudhës janar 2022 – gusht 2025.
Deri tek këto zhvillime erdhi pasi kardiokirurgu Sasho Kedev hodhi dyshime se në spitalet private në vend bëhen intervenime kardiologjike të panevojshme me qëllim që të merren para nga qytetarët.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/