Pothuajse tre javë që nuk ka asnjë gjurmë nga zhytësi 52-vjeçar bullgar, I.T., i cili më 9 gusht u zhduk në ujërat e Liqenit të Ohrit. Ai ishte zhytur në thellësi prej 89 metrash, pranë fshatit Tërpejcë. Për të vazhdojnë kërkimet e policisë së liqenit dhe zhytësve nga Ohri. Goran Balevski, zhytës me përvojë shumëvjeçare, thotë se Liqeni i Ohrit është specifik për zhytje, veçanërisht në thellësi të mëdha. Ai shton se thellësia prej 40 metrash është dhënë si kufi, i cili nga të gjithë faktorët ndërkombëtar relevantë është konsideruar relativisht i sigurt.
“Këto janë trajnime të veçanta, ku ju duhet të merrni leje për t’u zhytur deri në 40 metra. Të gjitha thellësitë e tjera i përkasin fushës së zhytjes teknike, që kërkon njohuri të veçanta dhe pajisje të posaçme. Liqeni i Ohrit nuk është i thjeshtë për zhytje, veçanërisht në thellësi të mëdha. Është më ftohtë edhe pse është jashtëzakonisht i pastër. Në thellësi prej 60–70 metrash temperatura është 8 gradë, që shkakton probleme fiziologjike të ndryshme, hiperventilim, dhe kërkon që personi të jetë më i përgatitur”, tha Goran Balevski, kryetar i Klub për Veprimtari Nënujore Ohër,
Balevski nuk është optimist se trupi ndonjëherë do të gjendet, pasi thotë se bëhet fjalë për thellësi ekstreme.
“Është mjaft e vështirë për ta gjetur. Së pari nuk kemi një vendndodhje të saktë. Kërkimi në atë thellësi është jashtëzakonisht i vështirë. Edhe për të kërkuar ndonjë objekt në thellësi më të ulët kërkohet njohuri dhe përgatitje të veçantë. Ndoshta duhet të thirret një ekip që të kalojë me ndonjë skaner dhe pastaj të përdoret një dron për ta lokalizuar. Në këtë mënyrë, çdo kërkim me ajër të kompresuar dhe pa përgatitje të duhur vetëm krijon rrezik të madh për ekipin që kërkon”, u shpreh Goran Balevski, kryetar i Klub për Veprimtari Nënujore Ohër.
Balevski thotë se edhe pse vendi ka zhytës dhe njohuri cilësore, në këtë situatë është mëse e nevojshme të kërkohet ndihmë ndërkombëtare për kërkimin në terren, sepse asnjë në vend nuk ka pajisje të përshtatshme për kërkim në një thellësi të tillë. Ai bën thirrje që shteti të marrë pjesë në pajisjen jo vetëm të ekipeve të zhytjes së ushtrisë dhe policisë, por edhe të të gjitha qendrave dhe klubeve të zhytjes./ Alsat.mk