Rrëfimi nis me artistin e njohur figurativ Gazanfer Bajram, dhe përfundon me ritregimin e një dëshmie për qëndrimet e ish-udhëheqësit komunist maqedonas, Lazar Kolishevski, për shqiptarët….
Libri i Shkëlzen Maliqit – Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera, një dialog me Baton Haxhiun (botuar më 2011), është një mënyrë për ta parë Kosovën ashtu siç është në të vërtetë: një çështje shumë e ndërlikuar. Një rrëfim dhe refleksion i gjatë, i ushqyer ndërsjelltësisht nga rrëfyesi dhe pyetësi, i cili nga nuancat është i hollë tamam siç i takon një vepre intelektuale, një refleksion intelektual. Në fakt që në fillim të viteve 90, Maliqi, një filozof dhe eseist i klasit të parë në hapësirën shqiptare reflektonte vetëpërmbajtjen intelektuale, nuk i binte shkurt dhe thjesht çështjes së ish- Jugosllavisë dhe Kosovës, nuk binte në stampa dhe patetizma, por ishte realist, i thellë, me skepticizmin që ka një filozof për të parë ngrehinën e tij konceptuale në është realiste, e fortë, racionale, inventive, pa të çara të logjikës. Por sidomos pa rënë në kurthin ku biem shpesh kur mendojmë thjesht e shpejt: i kthejmë dëshirat në tregim. Edhe pse në dukje njeri i moderuar dhe i arsyeshëm, Shkëlzen Maliqi ka bërë akte të forta intelektuale në jetën e tij: nga debati me nacionalistët serbë në shtypin e Beogradit e deri tek qëndrimet e tij në fund të viteve 80 e në vazhim për Kosovën. Të gjitha këto i japin atij statusin e dikujt që mirëvendoset në rebusin mes universalizmit dhe kozmopolitizmit tipik për intelektualin dhe patriotizmin e tij si shqiptar. Më poshtë, ju sjellim një fragment nga libri i tij që ka të bëjë me Maqedoninë.
Rrëfimi nis me artistin e njohur figurativ Gazanfer Bajram, dhe përfundon me ritregimin e një dëshmie për qëndrimet e ish-udhëheqësit komunist maqedonas, Lazar Kolishevski, për shqiptarët….
“Gazanfer Bajram, është lindur në Prishtinë, nga nëna boshnjake dhe babai turk i Shkupit. Është rritur në shtëpinë e gjyshit që ka qenë deputet në Parlamentin e ish Jugosllavisë. Gazanferi pikturonte në stilin realist autoportretet dhe tablo të natyrës së qetë, por, kishte specializuar mozaikun, dhe tani është njëri prej mjeshtërve më të njohur për mozaik në Maqedoni dhe në rajon. Gazanferi atëherë ishte bonvivan dhe ia dinte rendit, i njihte pijet, kishte shije të mirë, dhe kishte ndërtuar reputacion në kafenetë dhe restorantet e ndryshme të Beogradit. Kur vinte në restaurant, nuk miqësohej vetëm me kamerierët, por kërkonte t’i njofonte edhe kuzhinierët, dhe u bënte porosi speciale dhe i qeraste edhe ata, kështu që gjithkund pritej me respekt. Me te kam kaluar shumë kohë në kafenenë “Kolarac” në rrugën Knez Mihailova, por bënim edhe ndeje private. Gazanferi në atë kohë kishte më shumë sens për politikë se unë, në kuptimin se nuhaste raportet gjeostrategjike dhe pozitën e Jugosllavisë si një botë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Për këtë e ndihmonte edhe një pikëvështrim otoman që e kishte, jo në kuptimin e nostalgjisë për Perandorinë Otomane, – për këtë e dinte se kishte perënduar dhe nuk mund të kthehet, – por nga një qasje kontekstualizuese që i lejonte që ngjarjet dhe zhvillimet “provinciale” në rajon t’i shikojë nga një perspektivë të gjerë sintetike otomane. P.sh. kur maqedonët vajtonin pse Maqedonia është ndarë padrejtësisht në tri pjesë ai u thoshte, “Po pse atëherë bëtë kryengritjen dhe luftuat për t’u ndarë nga Perandoria Otomane? Po të ishit nën Stambollin, Maqedonia do të mbetej një.” Kështu thoshte edhe për shqiptarët, kur ankoheshin pse janë coptuar trojet etnike shqiptare. Kuptohet, e thoshte si në shaka, por mua më pëlqente ky “pikëvështrim imperial”, kur çështjet e ngujuara shikohen “nga lartë”, gjë që mundëson projektimin e zgjidhjes së çështjeve nacionale në ndërmarrjet më të gjëra sintetike, çfarë është p.sh. prej kohësh projekti i Bashkimit Evropian.
Para kthimit nga Beogradi kam pas një shoqëri intensive me te, dhe edhe ai u kthye në Shkup përafërsisht në të njejtën kohë si unë. Është martuar me vajzën e njërit nga komunistët më me nam të Maqedonisë, Krste Crvenkovskin, dhe kur unë pata flluar të shkruaja në gazetat jugosllave, Crvenkovski më ka fuar disa herë për biseda politike dhe lavdëronte qasjen time. Edhe pse disa shqiptarë të Maqedonisë kishin rezerva për te, mua më dukej pakrahasimisht më i mençur dhe me sens për rëndësinë e çështjes shqiptare, në krahasim me numrin një të nomenklaturës së Maqedonisë në periudhën 1945-1981, Llazar Kollishevski. Për këtë të fundit, Kolishevskin, kam një anekdotë interesante, ma pat treguar në vitet ‘80 një gazetar i formatit amerikan, Miodrag Dodig, që punonte për “National geographic” dhe disa gazeta të mëdha amerikane. Dodik kishte shkruar një libër për Gorbaçovin. Ai ishtë me prejardhje nga Mali i Zi, madje më pat thënë se i kishte rrënjët nga Shkodra, me gjasa është prej Dodëve, nuk më kujtohet tani saktë. Ky Dodiku më pat treguar se në vitet ’70, kur kishte shkuar ta bënte një intervistë me Llazar Kollishevskin, në kabinetin e tij e kishte parë një hartë të madhe të Maqedonisë, ku në pjesët verilindore dhe perëndimore ishin ngulur shumë famuj të vegjël me ngjyrë të kuqe. Dodigu e kishte pyetur çka përfaqësojnë këta famuj, dhe ai ishte përgjigjur: “Janë zonat e depërtimit dhe të përhapjes të shqiptarëve në tokat e Maqedonisë! Janë duke na ngadhënjyer me natalitet dhe këtu te zona e Kumanovës, është duke u krijuar një korridor që mund të na ndajë nga Serbia!”
Gazetari e kishte pyetur se çka kanë ndërmend të bëjnë. Ai ishte përgjigjur se duhet ta pengojnë këtë deri sa nuk është vonë. Po si do ta bëni këtë?, kishte instituar Dodig. Aty Kollishevski e kishte kuptuar se përpara e ka një gazetar amerikan dhe ka heshtur. Kollishevski, përndryshe, si proserb, pas vdekjes së Titos, kur edhe flloi kriza e federatës jugosllave, e pat bërë publike një akuzë për strategjinë e udhëheqjes së Titos, që përndryshe ka qenë e popullarizuar në qarqet nacionaliste serbe. Ai pat thënë se formula e Titos për drejtimin e Jugosllavisë ka qenë jetësimi i parullës: “Serbia e dobët – Jugosllavia e fortë!””…
(Marrë nga kdp.mk)