Ende pa u harruar mirë thirrjet raciste anti-shqiptare në Kumanovë, një ngjarje e tillë është përsëritur në stadiumin e Qytetit të Kavadarit, ku janë dëgjuar thirrje identike.
I pyetur për këtë rast nga TV Shenja zëvendëskryeministri Mexhiti siguroi se kushdo që përsërit gjëra të tilla, do të ballafaqohet me ligjin.
IZET MEXHITI – ZV.KRYEMINISTËR I PARË
“Individ ka pasur dhe do të ketë të papërgjegjshëm të cilët mundohen të vendosin njollë kësaj qeverisje të re. Pajtohemi se nuk është as për së afërmi, dmth nuk mund të krahasohet me incidentet, vrasjet, burgosjet që kanë ndodhur në të kaluarën. Sido që të jetë këto indivit të papërgjegjshëm nga cila anë që do të vijnë, do të ballafaqohen me ligjin”.
Për thirrjet raciste dhe anti-shqiptare, kundër organizatorit që në këtë rast është ekipi i Pelisterit, masat e para i ka ndërmarrë tashmë, Federata e Futbollit të Maqedonisë, duke e dërguar ekipin në komision diciplinor, i cili më pas do të përcaktoj edhe dënimin.
FEDERATA E FUTBOLLIT TË MAQEDONISË
“Pas raportimit të delegatit të ndeshjes. Komisioni i garave pranë FFM-së e ka dërguar për procedurë të mëtutjeshme në Komisionin Disciplinorë ekipin e Pelisterit. Raporti ka të bëjë me sjellje fyese dhe brohoritje ofenduese nga një pjesë e tifozëve në ndeshjen Pelister-Shkupi”.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme, thonë se po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Sektori për Punë të Brendshme në Kavadar po ndërmerr masa për të përcaktuar identitetin e autorëve, dhe një kallëzim përkatës do të ngrihet kundër KF “Pelister”, në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Dhunës dhe Sjelljes së Pahijshme në Garat Sportive”.
Shpërndarja dhe përdorimi i gjuhës së urejtjes në vendin tonë sanksionohet edhe sipas ligjit. Autorët e këtyre veprimeve mund të dënohen nga 1 deri në 5 vite burg.
Mevludin Imeri /SHENJA/