Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski u takua sot me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneral-major Enriko Barduani. Në takim, siç njofton Ministria e Mbrojtjes (MM), u diskutua roli i rëndësishëm i këtij misioni në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës dhe të gjithë rajonit.
“Ky mision i NATO-s është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një rajon edhe më të qëndrueshëm dhe të sigurt. Mbetemi të përkushtuar ndaj kontributit tonë në KFOR dhe mbështetjes logjistike që i ofrojmë këtij misioni në të ardhmen”, tha ministri në takim.
Misajlovski tha gjithashtu se në kohë ndryshimesh serioze gjeopolitike dhe paqëndrueshmërie, një rajon i sigurt është me rëndësi prioritare për vendin. Maqedonia, shtoi ai, do të vazhdojë të jetë një shtyllë sigurie në Ballkan.
Duke pasur parasysh se mandati i gjeneral Barduanit si Komandant i KFOR-it po përfundon së shpejti, ministri Misajlovski e falënderoi atë për bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyer në lidhje me kontingjentin e Maqedonisë në këtë mision.
Gjenerali Barduani, nga ana e tij, theksoi se ushtarët e Maqedonisë demonstrojnë profesionalizëm të lartë dhe përkushtim të plotë ndaj detyrave dhe përgjegjësive të tyre çdo ditë. Ai shprehu mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të vendit tonë në misionin e KFOR-it, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
Në kuadër të vizitës, gjeneral Barduani u takua edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-major Sashko Lafçiski.
Sipas MM-së, Armata e Maqedonisë në këtë mision kontribuon nga viti 2020.