Thirrjet raciste në terrenet sportive në Republikën e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të përsëriten. Rasti i fundit u regjistrua në Kavadar në ndeshjen futbollistike Pelisteri – Shkupi. Njëjtë sikur një muaj më parë në Kumanovë edhe në Kavadar u dëgjua refreni i njohur tashmë “le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket”, shkruan Portalb.mk.
Nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut për rastin në fjalë kanë dalur me reagim.
“Pas raportit të delegatit të ndeshjes KF Pelister – KF Shkupi, Komisioni për ndeshjet e FFM-së e ka dërguar KF Pelister në Komisionin Disiplinor për procedurë të mëtejshme. Raporti ka të bëjë me brohoritje fyese nga disa tifozë në ndeshjen Pelister – Shkupi, të luajtur në kuadër të raundit të 3-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut,” thuhet në kumtesën e FFM-së.
Portalb kërkoi qëndrim edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme për këtë inicident të radhës.
Për këtë akt, deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim publik nga funksionarët, siç kishte për rastin kur në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë. Ky rast ende nuk është zbardhur.
Kujtojmë se i pari i kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi dje i porositi institucionet kompetentet që t’i dënojnë përgjegjësit e shpërndarjes së urrejtjes.
“Institucionet duhet t’i gjejnë fajtorët dhe t’i dënojnë. Le ta dinë njerëzit se nuk mund të ketë thirrje të tilla, sepse siç e pamë shkaktuan shqetësime në publik”, tha Gashi duke komentuar vonimin e institucioneve në gjetjen e fajtorëve të cilët kënduan këngë raciste në tribunat e sallës sportive në Kumanovë.
Kujtojmë se, mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.
Kronologjia e reagimit institucional
Më 3 gusht 2025, në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”.
Më 5 gusht 2025 Policia dhe Prokuroria thanë se janë thirrë për intervistë zyrtare disa persona përderisa në të njejtën datë ndodhi incidenti në ndeshjen Shkendija-Karabak në arenën “Todor Proeski” në Shkup, kur brohoritja “Ilirida” dhe valëvitja e flamurit “Shqipëri e madhe” nga tifozët shqiptar u cilësua si gjuhë e urrjetjes.
Më 7 gusht 2025, Prokuroria njoftoi se e ka dënuar me kusht dhe dëbuar shtetasin e Gjermanisë që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe”, incident ky që ndodhi pas Kumanovës. Për këtë rast autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës.
Më 8 gusht 2025 për Portalb.mk nga policia thanë se “SPB – Kumanovë po merr masa për të zbardhur rastin”, duke u përgjigjur shkurt kështu nga ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut në pyetjen se deri ku është procedura e identifikimit të fajtorëve për thirrjet nacionaliste dhe raciste në Kumanovë.
Më 18 gusht 2025, sërish morëm përgjigjen e njejtë se policia, “po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.”
25 gusht 2025, nuk ka përgjigje nga autoritetet. Po të njëjtën ditë dëgjohet brohoritja e radhës, shqetësuese, por kësaj radhë në qytetin e Manastirit.