Cristian Chivu e nisi me këmbë të mbarë aventurën e tij në Serie A si trajner i Interit, duke udhëhequr skuadrën drejt një fitoreje të thellë 5-0 ndaj Torinos në “San Siro”. Marcus Thuram shënoi dy gola, ndërsa Bastoni, Lautaro Martinez dhe debutuesi Bonny vulosën rezultatin më të thellë të Interit në hapje të sezonit që prej vitit 1961.Pas ndeshjes, Chivu nuk e fshehu entuziazmin, por edhe përgjegjësinë që ndjen në këtë rol të ri. “Ne punuam shumë dhe djemtë dhanë një përgjigje të madhe, ishte një shfaqje pjekurie. Që nga dita e parë e stërvitjes, lojtarët kanë pranuar atë që duhet të bëjnë dhe sot ishin në formë të shkëlqyer, gjë që nuk ishte e thënë pas një vere të komplikuar,” u shpreh trajneri për Sky Sport Italia.
Ai e përshkroi këtë rikthim në “San Siro” si një ndjesi të veçantë: “Të kthehesh këtu si trajner i një klubi ku kam shkruar faqe të rëndësishme historie është speciale. Por unë jam i përqendruar tek e tashmja, sepse është një përgjegjësi e madhe.”