Artan Fuga thotë se pa kosovarët, Durrësi do të falimentonte.
Ndaj dhe sipas tij, durrsakët e kanë kuptuar këtë gjë dhe iu shërbejnë kosovarëve më së miri.
“Rroftë Kosova! Dy gjëra, njërën nuk e kuptoj, tjetrën e kuptoj.
Nuk kuptoj se përse shumica e medias te ne janë të pozicionuara sikur do të kënaqeshin shumë dhe do të fërkonin barkun sikur iniciativa e Z. Trump për paqe me Rusinë të dështonte!
Pse bëjnë si gjinkalla në vapë, shplajnë trutë e publikut?
Ajo që kuptoj është se përse durrsakët e mirë u bëjnë aq hyzmet kosovarëve në plazh.
Pa kosovarët në plazh pothuajse nuk do të kishte këmbë turisti dhe berberët, shitësit e pajisjeve elektrike, shitësit e rrobave të vjetra, shitësit e pispilive, pulave të pjekura, të byreqeve, shitësit e gjerdanëve me flori turk, të brekëve të detit, shitësit e kosit, dhallës, akulloreve, ata të nderuar që vertisin çelësa dhomash me qira në rrugë, këpucarë, lavazhuesit e qerreve, etj., do të detyroheshin të mbyllnin dyqanet duke iu vënë qepenën!
Hyzmeqarë dakord, por kjo është jeta!
Të jem si këta, taksën e kalimit të trarit të kosovarëve për të ardhur këtu, ja u paguanin këta me qejf atyre!
Ndonjëherë mendoj, ç’do bënin këta po të mos ishte pavarësuar Kosova? Do të hante njeriu njeriun këtu!
Po ju e dini?
Po e dini, uleni një çikë delirin!
Do të thoni ju çfarë lidhje ka lufta në Ukrainë me pushuesit nga Kosova në Durrës, Golem, Qerret, Mali i Robit ?
Ka dhe shumë madje, por kur ta kuptojnë disa elita politiko-mediatike do të jetë aq vonë sa të vish të lahesh në Durrës në mes të janarit”, shkruan Fuga.