Analisti dhe juristi Neritan Alibali, i ftuar në studion e News24, ka komentuar propozimin për hartimin e një Kodi të ri Penal, duke theksuar nevojën për një debat gjithëpërfshirës dhe të thelluar, përtej formalizmave.
“E rëndësishme është të shohim produktin që do të dalë në fund, pavarësisht mënyrës si është punuar dhe nxjerrë drafti. Nëse do të bëhet një diskutim serioz, jo thjesht publik, mes shumë ekspertësh nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, atëherë mund të japim një mendim real për këtë kod,” u shpreh Alibali.
Ai theksoi se përfshirja e gjerë dhe dialogu pa përplasje politike janë thelbësore për suksesin e këtij procesi, duke kujtuar edhe roli vlerësues i strukturave të Bashkimit Europian në këtë reformë.
Alibali tha se një Kod Penal i shkëputur nga realiteti kulturor dhe moral shqiptar rrezikon të mos jetë funksional në praktikë.
“Shoqëria shqiptare ka veçoritë e saj. Kemi një traditë të së drejtës zakonore dhe një kod moral të trashëguar. Në këtë aspekt, disa akte që në një vend tjetër evropian mund të mos konsiderohen problematike, në moralin shqiptar mund të sjellin pasoja deri në gjakderdhje, gjakmarrje apo dënim shoqëror,” deklaroi ai.
Alibali i bëri thirrje institucioneve të pushtetit që të tregojnë hapje maksimale ndaj mendimeve të ekspertëve dhe shoqërisë civile, duke nënvizuar se një kod penal efikas duhet të jetë i zbatueshëm në terren dhe i pranueshëm për qytetarët.