Detaje të reja dhe rrëfime tronditëse janë zbuluar nga ngjarja që tronditi Volosin në Greqi, mëngjesin e 22 gushtit. Një 36-vjeçare, nënë e katër fëmijëve, u vra brutalisht nga bashkëshorti i saj, 40-vjeçari shqiptar Pantelis N., i cili ndodhet ende në arrati.
Viktima, e identifikuar si Nikoleta M., u qëllua me thikë në banesë dhe më pas u ndoq në hyrje të pallatit, ku autori e shtyu me forcë në derën prej xhami, duke i shkaktuar plagë fatale nga copat e thyer. Ajo humbi jetën në vend, për shkak të gjakderdhjes masive.
“E pashë babin të qëllonte mamin me thikë”, dëshmoi vajza 16-vjeçare e çiftit për gegonota.news. Ishte ajo që njoftoi urgjencën, pasi pa të ëmën të mbuluar në gjak. Vajza tregon se konflikti kishte nisur brenda banesës dhe se nëna e kishte larguar babain nga shtëpia disa kohë më parë, për shkak të sjelljes agresive dhe xhelozisë ekstreme.
Burime nga spitali konfirmojnë se vdekja erdhi si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me thikë dhe xhamat e thyer, ndërsa dëshmitë e banorëve e përshkruajnë viktimën si “një grua të qetë, punëtore dhe nënë të përkushtuar”. Ajo punonte në një fabrikë dhe mbante mbi supe barrën kryesore të familjes.
Çifti kishte katër fëmijë: vajzat 18 dhe 16 vjeç, si dhe dy djem të mitur, njëri prej të cilëve vetëm 6 vjeç. Të gjithë ishin në shtëpi në momentin e krimit dhe panë tragjedinë me sytë e tyre.
Policia greke po vijon operacionin për arrestimin e autorit, i cili dyshohet të jetë larguar në këmbë në drejtim të rrugës “Gladstonos”, menjëherë pas ngjarjes.