Kryetari i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali, ka reaguar ashpër ndaj ngjarjes së paprecedentë të ndodhur më 9 gusht, kur godinat e Focus Media News dhe Panorama Group u zaptuan nga forca policore dhe gazetarëve iu ndalua hyrja në ambientet e saj.
Në një intervistë për vetë News24, Haxhimali e cilësoi këtë akt si të paligjshëm dhe në kundërshtim me autonominë vendore, duke theksuar se godina është pronë e Bashkisë së Tiranës dhe se çdo vendim për tjetërsim duhej të ishte marrë nga Këshilli Bashkiak.
“Është e papranueshme injorimi i vendimit të gjykatës. Kemi raste të ndryshme të ndërhyrjeve në autonominë vendore, që krijojnë precedentë të rrezikshëm për një shoqëri demokratike,”– deklaroi ai.
Haxhimali kritikoi më tej qasjen që ka shteti shqiptar ndaj pronës publike dhe private, duke e krahasuar me standardet evropiane që vendi synon të arrijë në kuadër të integrimit.
“Pretendojmë se kemi hapur kapituj me BE-në, por a mjafton kjo kur cënojmë pronën dhe të drejtat e individit? Ligjet janë të shkruara bukur, por nuk zbatohen. Kjo është çështje vullneti politik,” – theksoi ai.
Ndër të tjera, Haxhimali kërkoi më shumë reagim institucional dhe kritikë nga brenda vetë klasës politike, për të parandaluar raste të tilla që dëmtojnë demokracinë dhe të drejtat themelore.