Autoritetet italiane kanë arrestuar një shtetas ukrainas, i cili konsiderohet si i dyshuari kryesor për koordinimin e sulmeve ndaj gazsjellësve Nord Stream, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme e Gjermanisë njoftoi se ai do të ekstradohet në Gjermani për t’u paraqitur para gjykatës.
I dyshuari, i identifikuar sipas ligjit gjerman për mbrojtjen e të dhënave personale vetëm si Serhii K., dyshohet se ishte pjesë e një grupi personash që vendosën eksplozivë në tubacionet e Nord Stream, pranë ishullit Bornholm në Detin Baltik.
Sipas prokurorisë gjermane, ai nuk vepronte i vetëm, por kishte rol në koordinimin e një operacioni të organizuar sabotazhi.
Hetuesit theksojnë se grupi kishte nisur nga Rostock, në Gjermaninë verilindore, duke përdorur një jaht me vela, me qëllim realizimin e sulmit.
Sipas të dhënave, jahti ishte marrë me qira nga një kompani gjermane, duke përdorur dokumente identiteti të falsifikuara të siguruara përmes ndërmjetësve.