Liria e medias është themeli mbi të cilin ndërtohet një shoqëri demokratike funksionale. Reagon Ambasadori Denion Meidani në mbështetje për portalin TetovaSot, ku gazetari Nevrij Ademi sot është mbajtur dy orë në polici, ku i është kërkuar konfiskimin e pajisjeve elektronike të gazetarit dhe të portalit.
“Kur media është e lirë, çdo e drejtë tjetër është më e siguruar. Mbrojtja e fjalës së lirë është mbrojtje e vetë demokracisë dhe e dinjitetit qytetar,” deklaroi Ambasadori Meidani.
Ambasadori Meidani, i njohur për qëndrimet e tij të qarta në mbështetje të vlerave demokratike dhe institucioneve të pavarura, theksoi se media e lirë nuk është vetëm një mekanizëm kontrolli ndaj pushtetit, por edhe një mbrojtëse e dinjitetit të qytetarit të zakonshëm.
Ai u bëri thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të garantojnë kushte të sigurta për punën e gazetarëve dhe të mos tolerojnë asnjë formë censure apo presioni ndaj mediave.