Gazetari Nevrij Ademi është thirrur në një bisedë informative në stacionin policor të Tetovës, në rrethana të pazakonta dhe jashtë çdo procedure zyrtare. Sipas reagimit të aktivistit dhe gazetarit Furkan Saliu, thirrja është bërë përmes një telefonate, pa ndonjë ftesë zyrtare apo arsyetim ligjor.
Sipas Saliut, rasti përfshin ndërhyrje politike të drejtpërdrejta, pasi siç thekson ai pas thirrjes qëndron “dajxha Rakip”, i cili përmes nipit të tij, komandant në stacionin policor të Tetovës, ka kërkuar që gazetari të sillet në polici.
“Pa shkresë zyrtare, pa arsye. Kulmi i idiotizmit është që në stacion tentohet t’i merret telefoni. Krejt kjo për shkak se dikujt iu ka kujtu të paraqesë një rast në polici, me akuzën se iu kanë keqpërdor të dhënat personale”, shkruan Saliu në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Ai thekson se rasti përbën një shembull të qartë të politizimit të policisë dhe një keqpërdorimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme për qëllime partiake.
“Puna e Nevrij Ademit mund të mos iu pëlqej. Mund të keni vërejtje e akuza, por në këtë rast nuk sulmohet vetëm ai dhe “Tetovasot”. Sulmohet gazetaria! Çka na pret nesër neve?”, pyet Saliu me shqetësim.
Në fund të reagimit të tij, ai kujton paralajmërimet që kishte dhënë që në ditën e parë të formimit të qeverisë së re, duke theksuar se ky është një hap drejt “shkeljes brutale të fjalës së lirë, presionit dhe kthimit në ditët e errëta të regjimit”.
“Ups, e përmenda edhe unë #dajxhin 😇”, mbyll ai postimin, me ironi ndaj ndikimit familjar në funksionimin e institucioneve shtetërore.