Qeveria ende nuk ka përfunduar kontrollimin e licencave që u patën dhënë kompanive për përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore, shkruan Alsat.
Shqyrtimi i licencave ishte paralajmëruar pas shpërdorimeve që janë bërë nga kompanitë, që në vend se për qëllime mjekësore, kanabisi kishte përfunduar në treg të zi.
Kryeministri paralajmëroi se do të bëhet e ditur se cili ministër, nga cili subjekt dhe cilëve kompani i ka dhënë leje për përpunim të kanabisit.
Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, thotë se analizat ende po vijojnë, por gjendja është shumë serioze.
“Është e vërtetë se bëhet fjalë për gjendje serioze për të cilën qeveria ka informacione dhe gjendje e cila ende vazhdon, analizat vazhdojnë dhe besoj se kur t’i kemi rezultatet e para menjëherë do ta informojmë opinionin. E dini se në detaje duam t’i shohim gjërat, nuk duam të bëjmë senzacion, nuk themi diçka që nuk është e vërtetë, i kontrollojmë gjërat në detaje dhe besoni se bëhet fjalë për rast shumë serioz”, tha Marija Miteva – Zëdhënëse e Qeverisë.
Në tregun e përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore janë përfshirë kryesisht shtetas të huaj, por edhe shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Në disa raste të keqpërdorimeve, policia ka sekuestruar kanabis në vlerë prej miliona euro, ndërsa kompanive i janë sekuestruar licencat. Megjithëse ligji aktual i mundëson atyre rikthimin e licencave. Rasti konkret ishte sasia e kapur prej mbi 100 kilogram kanabis në Strumicë.
Kjo industri më e zhvilluar është në rajonin e Pellagonisë, Vardarit, rajonin Juglindor si dhe në rajonin e Pollogut. Në nivel shteti kanë funksionuar rreth 100 kompani për përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
Disa prej tyre u mbyllën kur Qeveria refuzoi ndryshimet ligjore që t’i lejon atyre prodhimin edhe të kanabisit të thatë dhe eksportin e tyre jashtë shteti./ Alsat.mk