Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar qeverinë VLEN se nuk i ka përmbushur zotimet e bëra ndaj mërgatës shqiptare gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas ASH-së, edhe pse ishin paralajmëruar masa konkrete si lehtësimi i votimit sipas modeleve evropiane, eliminimi i deputetëve të diasporës dhe përfshirja e votuesve jo-rezidentë në listat e brendshme, pas gati një viti e gjysmë qeverisjeje këto zotime kanë mbetur vetëm në letër.
Po ashtu, ASH thekson se nuk është themeluar ende Ministria e Diasporës me buxhet të veçantë, nuk janë përfshirë kuadro nga mërgata në nivele vendimmarrëse dhe nuk janë realizuar lehtësirat tatimore e subvencionet e premtuara për kthimin e mërgimtarëve.
“A është kthyer ndonjë mërgimtar përmes masave të premtuara, apo, përkundrazi, është shtuar numri i atyre që e kanë lëshuar vendin?”, pyet ASH në reagimin e saj.
Partia opozitare paralajmëron se mërgata shqiptare rrezikon të mbetet jashtë procesit të zgjedhjeve lokale, për shkak se qeveria nuk ka tërhequr vendimin për fshirjen e saj nga listat zgjedhore dhe për zvogëlimin e numrit të këshilltarëve komunalë, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Mërgata shqiptare ka dhënë shumë për vendin tonë – me punë, remitanca dhe kontribut të pandërprerë. Për këtë arsye, premtimet ndaj saj nuk guxojnë të mbeten të pambajtura”, thekson ASH, duke kërkuar nga VLEN që të japë llogari dhe të zbatojë angazhimet e ndërmarra para qytetarëve.(INA)