Profesori universitar, Ali Pajaziti, ka reaguar publikisht duke theksuar se kryeprioritet i zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Sarajit duhet të jetë ndërtimi i bulevardit me katër korsi, i cili sipas tij është zgjidhja e vetme për kaosin urban që po rritet nga dita në ditë.
“Ky projekt nuk është utopi, por domosdoshmëri. Mosrealizimi i tij është mëkat politik që nuk do ta falin brezat. Bulevardi krijon mjedis të jetueshëm, ndërsa mungesa e tij sjell tensione, aksidente dhe pamje të papranueshme për një vendbanim modern”, theksoi Pajaziti.
Në këtë drejtim ka ardhur edhe përgjigjja e kandidatit të AKI-së për kryetar të Sarajit, Blerant Ramadani, i cili u zotua se projekti i bulevardit është pjesë e vizionit të tij për komunën.
“Infrastruktura moderne dhe e sigurt është shtylla kryesore e vizionit tonë. Me 15 gusht, në diskutimin publik për Planin Gjeneral Urbanistik të Sarajit, paraqitëm propozime të qarta: rrugë bulevard me nga dy korsi për secilin drejtim, rrethrrotullime funksionale, gjelbërim ndarës dhe infrastrukturë të sigurt për qytetarët”, deklaroi Ramadani.
Ai theksoi se ky projekt nuk është vetëm çështje komunikacioni, por “investim në të ardhmen e qytetarëve të Sarajit”, duke shtuar se komuna do të jetë e angazhuar maksimalisht në fazat e përpilimit të PGjU-së.
“Saraji meriton bulevardin e tij. Saraji meriton standardin e qyteteve moderne. Ky është zotimi ynë”, përfundoi Ramadani.