SEFER TAHIRI
Si raportuan mediat lidhur me incidentet e fundit në ndeshjet sportive në Kumanovë dhe Shkup që kanë konotacione ndëretnike? Cilat ishin strategjitë diskurzive që u përdorën në raportimin mbi thirrjet “sh(q)iptarët e mallkuar” dhe “dhoma gazi për sh(q)iptarët” nga njëra anë, dhe “Shqipëri e madhe” e “Ilirida” nga ana tjetër? Sa kontribuan mediat në nxitjen e tensioneve ndëretnike, apo vetëm pasqyruan deklarimet e politikës? A pati tentime për barasvlerësim të dy incidenteve? Sa u respektuan standardet profesionale dhe etike, të parashikuara me Kodin Etik të Gazetarëve? Cili është leksioni që u nxor nga incidentet?
Brishtësia e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut vërtetohet shpesh në realitetin shoqëror dhe reflektohet në mënyrë plastike edhe në raportimin mediatik. Mjafton një shkëndijë e vogël etnike që debati i tensionuar politik e mediatik të ndizet me intensitetin më të lartë.
Kështu ka ndodhur që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut. Mediat në vend pas viteve të 90-ta dëshmuan se posedojnë fuqi të madhe efektive që t’i ndajnë njerëzit në baza etnike, duke nxitur dhe inkurajuar konflikte. Ishin përplot me përmbajtje, të cilat u bazuan mbi propagandën dhe gjuhën e urrejtjes ndaj të tjerëve, që konsideroheshin si armiq. Shpesh, mediat e shkruara dhe elektronike konkurronin në përhapjen e stereotipave negativë dhe në krijimin e imazhit sa më të keq për ata që i perceptonin si “të tjerë”.
Ky diskurs i ndarjes etnike vërehet që pas pluralizmit, ndërsa kulmoi gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe pas tij. Gjuha e urrejtjes dhe jotolerancës u detektua në diskursin politik dhe shoqëror, si reflektim i ndarjeve, sepse në Maqedoninë e Veriut me dekada jetojnë dy “bota paralele” në dimensionin etnik, kulturor, gjuhësor ose religjioz.
Në programet e shërbimit radiodifuziv publik RTVM, në gazeta, por edhe në stacionet private të radios dhe televizionit si dhe të mediave onlajn informohej njëanshëm dhe nuk raportohej në mënyrë të balancuar në kuptimin etnik. Ato viheshin në pozicione apologjetike të etnosit, kryesisht të maqedonasve dhe shqiptarëve.
24 vite pas konfliktit, kur vendi shënon edhe 24 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit dhe 35 vjetorin e pavarësisë, edhe pse në një perceptim real optimist mund të konstatohet se në raportimin e mediave për spektrin e ndërlikuar të çështjeve etnike është arritur përparim i vogël, ende mbeten shumë probleme për shkak të shfaqjes së dy “realiteteve paralele”. Domethënë, edhe përkundër përparimit, edhe pse në masë më ulët krahasuar me periudhën para 10 viteve, rivaliteti etnik megjithatë ekziston.
Objektivisht, nga viti 2017 deri në vitin 2024 pati qetësi relative në relacionet shqiptaro-maqedonase, edhe pse koncepti apo modeli i interkulturalizmit i njohur politikisht si “Një shoqëri për të gjithë” dështoi, pasi nuk dha rezultatet e pritura.
Ndonëse jotoleranca ishte e pranishme, ajo manifestohej vetëm në mënyrë latente, ndërsa dështimin e interkulturalizmit e dëshmon fakti që në aspektin diskurziv mediatik ende mbizotërojnë kategoritë që bëjnë prerje etnike të shoqërisë si me thikë: “Ne” dhe “ata”, politika “jonë” dhe e “tyre”, heronjtë “tanë” dhe të “tyre”, kultura e folklori “ynë” dhe i “tyre”, muzika “jonë” dhe e “tyre”, letërsia “jonë” dhe e “tyre”. Në këtë spektrim etnocentrik nuk bën përjashtim as gazetaria si profesion dhe as mediat, të cilat shpesh i përforcojnë narrativet e dëmshme, që kumtohen nga politika ose grupe tjera shoqërore, pavarësisht nëse janë margjinale ose me ndikim të madh publik.
Paralelizmi etnik që ekziston në realitetin shoqëror, i shoqëruar me paragjykimet dhe stereotipat negativë, për shkak të psikologjisë së turmës gjen fushëveprim më të lehtë në stadiumet e futbollit dhe sporteve tjera, në të cilat brohoriten thirrje me motive etnocentrike, por edhe nxitëse të përbuzjes, nënçmimit, urrejtjes dhe dhunës ndaj “tjetrit”. Grupet e tifozëve madje edhe emërtimet i kanë “luftarake” si “Komitët”, “Ballistët” etj.
Thirrjet etnocentrike e shpesh edhe pezhorative si “shiptari” për shqiptarët apo “kaurët” (“gjaurët”) për maqedonasit kanë shpërthyer në mënyrë të determinuar episodike, në kohën e krizave të ndryshme politike, kryesisht për të defokusuar opinionin publik nga çështjet reale shoqërore dhe në veçanti ato ekonomike. Në shkurt të vitit 2011 ndodhi ngjarja e njohur në Kalanë e Shkupit, ku u përleshën tifozët e grupeve “Komitët” dhe “Shvercerët”, pasi grupet ishin të ndara lidhur me ndërtimin e “kishës-muze” në lokalitetin e trashëgimisë kulturore të Shkupit. Shembuj të stereotipave, gjuhës së urrejtjes dhe raportimit të njëanshëm mund të evidentohen në shumë media, veçanërisht në kohën e fushatave zgjedhore, për të rritur intensitetin e sentimentalizmit etnik, i cili ka efekte zgjedhore.
Thirrjet antishqiptare në Kumanovë: Mediat në gjuhën maqedonase raportojnë “post festum”
Si reminishenca të historisë jo të largët të jotolerancës së thellë etnike, në Kumanovë më 2 gusht të këtij viti, në ndeshjen e basketbollit midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, nga një grup i tifozëve u brohoritën thirrje me gjuhë urrejtjeje. “Le ta kuptojnë sh(q)iptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket”, “Maqedoni e pastër, e pastër” – ishte refreni i thirrjeve që u dëgjua qartë. Pati edhe thirrje “Dhoma gazi për sh(q)iptarët” që është rikthim ogurzi në vitin 1997, kur studentët maqedonas zëshëm me ditë të tëra e brohorisnin këtë parullë në protestat kundër hapjes së Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe në Shkup, të cilat drejtoheshin nga eksponentë të sotëm dhe të djeshëm të partisë më të madhe në pushtet, VMRO-DPMNE. Fakti që në këtë ndeshje, në të cilën shqiptarët nuk janë protagonistë por fyhen rëndë, është disfatë për shoqërinë, politikën, arsimin, mediat e kështu me radhë, të cilët sektorë nuk kanë bërë sa duhet për çrrënjosjen e urrejtjes antishqiptare, por edhe anasjelltas.
Shumica e mediave në vend, lidhur me këtë ngjarje dhe të ngjashmet që kanë ndjeshmëri etnike, raportojnë duke u bazuar tek perspektiva etno-politike. Gjatë raportimit, siç është vërejtur edhe më herët, hasen dy strategji diskurzive: strategjia e “zbulimit-theksimit” dhe ajo e “injorimit-heshtjes” për incidentet në tribunat e tifozëve dhe rreth tyre.
Pjesa më e madhe e mediave në gjuhën maqedonase heshtën dhe nuk raportuan për vetë incidentin në Kumanovë, ndërsa raportimi më shumë u fokusua tek reagimet lidhur me ngjarjen, përfshirë veprimet e Prokurorisë Publike për marrje në biseda informative të disa personave, të cilët brohoritën kundër shqiptarëve. Në raportimet “post-festum” dominonin deklaratat e kryeministrit dhe të liderëve tjerë politike, por edhe zyrtarëve tjerë të shtetit e të forcave politike, në të cilat dënoheshin thirrjet e këtilla. Në shumë nga narrativët mediatik mungoi fakti se thirrjet u bënë në praninë e kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski, atij të Jashtëm, Timço Mucunski dhe ministrit të Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve midis Bashkësive, Ivan Stoillkoviq. Vetëm disa media e transmetuan komunikatën e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, në të cilën thuhej se “Është brengosëse që asnjëri nga funksionarët e lartë nuk reagoi ndaj thirrjeve në Kumanovë”. Në disa media me qasje kritike ndaj pushtetit, deklarimi i kryeministrit se nuk i ka dëgjuar thirrjet në sallën sportive u vlerësua si tentim për arsyetim me motive politike.
Mediat në gjuhën shqipe: Hapësirë e madhe për thirrjet famëkeqe
Përderisa në mediat maqedonase nuk iu dha hapësirë e konsiderueshme kësaj ngjarjeje, në mediat shqipe pati raportim të bujshëm, ndërsa kryefjala e linjës së tyre editoriale ishte se thirrjet ishin antishqiptare, raciste dhe ksenofobe. Që në tituj u veçua thirrja “Dhoma gazi për shqiptarët”, ndërsa theksohej fakti i pranisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë, para syve të të cilëve u brohoritën thirrjet. Dominuan reagimet e politikanëve shqiptarë, ndërsa erdhi në shprehje përplasja mes partisë opozitare BDI dhe partive të koalicionit në pushtet VLEN, të cilat për thirrjet antishqiptare të tifozëve akuzonin njëra – tjetrën. Mediat me politikë editoriale të afërt me koalicionin VLEN, në ballinat e tyre onlajn përkatësisht në titujt kryesorë në televizione, në mënyrë pompoze njoftonin se “Arrestohet një person për thirrjet anti-shqiptare në ndeshjen Maqedoni e Veriut-Rumani”.
Në deklarimet e transmetuara vërehej thirrja e zyrtarëve të koalicionit VLEN ndaj institucioneve, edhe pse vetë janë pjesë e pushtetit, që të ndërmarrin hapat e duhur në drejtim të gjetjes së autorëve të thirrjeve. Shumë pak u raportua për deklaratat e zyrtarëve maqedonas, të cilat i dënuan thirrjet, pasi ky veprim shihet si qasje amnistuese e politikës maqedonase ndaj gjendjes shoqërore, e cila i prodhon thirrjet etnocentrike.
Standarde të dyfishta për thirrjet “Shqipëri e madhe” dhe “Ilirida”
Disa ditë më pas, një incident tjetër ndodhi më 5 gusht 2025 në ndeshjen e futbollit mes klubit Shkëndija dhe Karabag nga Azerbejxhani në Shkup në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, ku u brohoritën thirrjet “Shqipëri e madhe” dhe “Ilirida”. Në pjesën më të madhe të mediave në gjuhën shqipe thirrjet e këtilla nuk u raportuan, ndërsa ato u fokusuan më tepër tek vendimi për dënim me kusht të një shqiptari me shtetësi gjermane nga Gjykata Penale e Shkupit, i marrë me procedurë të shpejtuar. Mediat shqipe e theksonin faktin që dënimi vjen pasi në veturën e tifozit valëvitej flamuri “Autochthonous” ( i “Shqipërisë së Madhe”). Në bazë të veprës penale “Nxitje të urrejtjes, përçarjes ose jotolerancës mbi bazë kombëtare, racore ose fetare”, Gjykata mori vendim për ta dëbuar tifozin nga Maqedonia e Veriut, duke ia ndaluar hyrjen për pesë vjetët e ardhshëm.
Nga ana tjetër, duke tentuar të vendosin një linjë reciprociteti me ngjarjen në Kumanovë, mediat në gjuhën maqedonase raportonin duke i quajtur skandaloze thirrjet në ndeshjen e klubit Shkëndija. Në drejtim të relativizmit të rastit me brohoritjet urrejtëse ndaj shqiptarëve, ato përdorën qëndrimin e presidentes Gordana Siljanovska Davkova, e cila u shpreh: “Skenat e ndeshjes Shkëndija-Karabah ishin reprizë e tregimit tragjik kumanovar”. Nuk pati kontekstualizime diskurzive se thirrjet me gjuhë urrejtjeje kundër shqiptarëve nuk janë të nivelit të njëjtë me thirrjet etnocentrike dhe etno-nacionaliste për “Shqipëri të Madhe” dhe “Iliridë” (autonomia politike-territoriale e shqiptarëve, për organizimin dhe jetësimin e së cilës në vitin 1992 u mbajt referendum, ide e cila nuk u bë realitet).
Në vijë të argumentimit se ngjarja e Kumanovës dhe e Shkupit nuk janë të nivelit të njëjtë është kronika e transmetuar në Televizionin nacional Alsat me titull “Dëbim për një flamur, s’ka dënim për thirrjet e urrejtjes!“. Sipas kronikës, e cila është ritransmetuar edhe në mediat tjera në gjuhën shqipe, “Gjykata që me dekada nuk dënon gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet raciste antishqiptare, në mënyrë të përshpejtuar ka dënuar një qytetar i cili është kapur duke valëvitur flamurin kuq e zi me hartën e “Shqipërisë së Madhe” dhe mbishkrimin “Autochthonus”. Megjithatë autoritetet nuk janë treguar kaq efikase me rastin që ndodhi vetëm disa ditë më parë, respektivisht në ndeshjen e 5 gushtit në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë në Kumanovë, tifozët në kor bënin thirrje Vdekje për shqiptarët”. Alsat po ashtu ka pasur tonalitet kritik ndaj tendencës së presidentes së vendit, Gordana Siljanovska Davkova për barasvlefshmërinë e thirrjes “Vdekje për shqiptarët” me thirrjen “Ilirida”, e cila ka karakter politik”.
Po ashtu, për dallim nga raportimi për deklaratat e kryeministrit Mickoski se nuk kishte dëgjuar brohoritjet kundër shqiptarëve në lojën në Kumanovë, në mediat në gjuhën shqipe shumë pak u raportua lidhur me deklaratën e kryetarin të Kuvendit, Afrim Gashi se nuk i ka dëgjuar thirrjet për “Shqipëri të Madhe” gjatë lojës në Shkup. Nga ana tjetër, mediat në gjuhën maqedonase raportuan në mënyrë shumë më të theksuar dhe kritike për këtë prononcim të Gashit.
Konkluzione
Në vitet e 90-ta, pas pavarësimit të Maqedonisë së Veriut, ka vazhduar prania e diskursit mediatik polarizues në vija etnike, që ishte vazhdimësi e diskursit të periudhës së komunizmit, i cili kryesisht ishte i orientuar kundrejt shqiptarëve nga mediat shtetërore të kohës.
Ndarjet etnike luajnë rol të madh në raportimin mediatik, ndërsa gazetarët dhe institucionet mediatike shpesh gjenden në pozicion delikat, duke u testuar roli i tyre shoqëror. Gazetarët, kur raportojnë për çështje të ndjeshme etnike, shpesh i vënë në plan të parë përkatësinë dhe interesat kolektive (shpesh të papërkufizuara në mënyrë konkrete), para standardeve profesionale që kërkojnë objektivitet, paanshmëri, balancim, josensacionalizëm, mospërdorim të gjuhës së urrejtjes dhe standarde e norma tjera etike.
Media në shumë raste nuk i pasqyron kërkesat dhe interesat e kolektiviteteve etnike në mënyrë të barabartë, por përdor diskurs dhe teknika të ndryshme favorizuese, fakt që argumenton se etniciteti ka rol të rëndësishëm ndaj strukturimit të përmbajtjeve mediatike në zhanre të ndryshme.
Lloji i këtillë i raportimit i bazuar kryesisht tek pozicionet etnocentrike ndikon dukshëm në krijimin e stereotipave negativë për “tjetrin”.
Mediat në vend, duke qenë shpesh dorë e zgjatur e politikës, në përmbajtjet e tyre shfaqin diskursin etnocentrik, i cili në disa raste prodhohet nga vetë ata, por më së shumti krijohet nga partitë politike dhe institucionet e shtetit. Gazetarët dhe mediat shpesh i publikojnë deklaratat e politikanëve që kanë diskurs polarizues pa iu dhënë interpretime kontekstualizuese, përkatësisht pa përdorur qasje kritike dhe analitike, dhe në këtë mënyrë shpesh shërbejnë vetëm si platforma transmetuese të retorikës nxitëse politike.
Kur bëhet fjalë për raportimin lidhur me ngjarjet në ndeshjet sportive në Kumanovë dhe Shkup, mund të konkludohet se tek gazetarët/mediat dominon qasja e heshtjes së elementeve negative dhe theksimi i atyre pozitive tek identiteti etnik të cilit i takon gazetari, në dëm të raportimit profesional objektiv dhe neutral, pa dhënë komente dhe interpretime.
Është praktikë e moçme që mediat kur janë në pyetje interesat etnike apo kur preken çështjet etnike janë të prira që të theksojnë elementet e “viktimizimit”, të theksojnë dimensionet pozitive dhe vlerat humane dhe me zhdërvjelltësi të ambalazhuar gjoja profesionale të fshehin veçoritë negative që ndërlidhen me etnocentrizmin, gjuhën e urrejtjes, ksenofobinë, paragjykimet dhe stereotipet.
Nga analiza e përmbajtjes së teksteve gazetareske, kronikave televizive ose produkteve të mediave onlajn, kryesisht duke u bazuar tek struktura narrative, duket se tek një pjesë e gazetarëve/mediave nuk është e zhvilluar ndjenja e ndërgjegjësimit dhe vetëdijes profesionale se raportimi etnocentrik, gjuha e urrejtjes dhe ksenofobia thellojnë edhe më tepër hendekun ndëretnik në shoqëri.
Vërehet përdorimi i gjuhës emotive, e cila është në funksion të strategjisë retorike etnocentrike, që ndonjëherë shkakton edhe sensacionalizëm, për të ngritur tensione, që shkakton ndarje në shoqëri dhe në opinionin publik.
Një ndër sfidat më të mëdha profesionale ose njëra ndër detyrat më të rëndësishme me të cilat ballafaqohen gazetarët është të shkruajnë për njerëzit që janë të ndryshëm nga ata sipas disa komponentëve thelbësore. Në kontekst të raportimit për çështje të “ndjeshme” ndëretnike në veçanti brengos mospërfaqësimi i mjaftueshëm i burimeve nga dy ose më shumë palë.
Rekomandime
Duhet të ndryshojë qasja e gazetarëve/mediave, të cilat mbi çështjet e ndjeshme etnike raportojnë vetëm nga këndvështrimi, i cili vë në pah pikëpamjet dhe botëkuptimet politike dhe ideologjike që burojnë nga agjendat etnike.
Gjatë raportimit për çështje të ndërlikuara ndëretnike, duhet të konsultohen burime që i përkasin identitetit kolektiv, i cili është në fokus të trajtimit mediatik. Kjo do të thotë se duhet të krijohen dhe mirëmbahen kontakte të rregullta me përfaqësuesit dhe pjesëtarët e grupeve dhe të bashkësive të ndryshme. Gazetarët duhet të mundohen që t’i kuptojnë qëndrimet e të tjerëve.
Nëse ndonjë burim është i një përkatësie tjetër etnike dhe fetare, roli i gazetarit është që t’i përcjellë me saktësi mendimet, idetë dhe pikëpamjet e personaliteteve. Në vazhdimësi duhet të kontrollohen faktet, e në veçanti duhet pasur kujdes kur bëhet fjalë për burime të pasigurta informative apo për ngjarje, të cilat mund të shkaktojnë krizë. Në një vend, si i yni, në të cilin dallimet shoqërore dhe etnike janë të mëdha, jetësimi i këtij ideali është vështirë të arrihet. Por, nuk është edhe i pamundur.
Nëse gazetarët duan të krijojnë besueshmëri në shoqëri, atëherë duhet ta arrijnë thelbësisht atë që duket në shikim të parë e pamundur- dijen dhe praktikat profesionale t’i vënë në funksion të nxitjes së mirëkuptimit dhe tolerancës së diversiteteve.
Duhet të shmangen konstruksione gjuhësore apo përdorimi jo i saktë i termave të cilat i fyejnë popujt e tjerë. Megjithatë, nëse gazetari mendon se është e nevojshme të transmetojë fjalë të njerëzve, të cilët shprehen në mënyrë nënçmuese, ato duhet të shfrytëzohen si citate apo si parafraza, mirëpo publikut duhet t’i bëhet me dije se këto shprehje janë të dëmshme, ofenduese ose se përbëjnë shkelje ligjore.
Duhet të shmanget transmetimi emotiv dhe etiketimi gjatë përshkrimit të zhvillimeve, që kanë konotacione etnike. Me rëndësi të veçantë është që të mos theksohen dallimet si diçka e keqe.
Duhet të parashikohen pasojat nga raportimi si dhe reagimet e opinionit. Që të mund ta bëhet kjo, nevojitet njohuri e mirë e kontekstit në të cilin ndodhin gjërat, të posedohen të dhëna rreth historisë së ndonjë problemi, por edhe zhvillimit të mundshëm të ngjarjeve.
Kur raportohet për individët dhe veprimet e tyre, qofshin ato pozitive apo negative, ato duhet parë si çështje individuale e jo si diçka që ka të bëjë apo i përket tërë grupit të cilit i takojnë ata. Përgjithësimet që bëhen përmes stereotipave mund të kontribuojnë për nxitje të urrejtjes së fuqishme mes njerëzve.
(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)