Gjatë kësaj periudhe kur sasia e mbeturinave rritet ndjeshëm për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, kompania e angazhuar për grumbullimin dhe transportin e mbeturinave në Tetovë “Saubermacher” ka ndërmarrë hapa konkret për të përmirësuar shërbimin e grumbullimit të mbeturinave me ekipe dhe kujdestari shtesë. Nga kjo kompani kanë bërë të ditur se është vërejtur se ende mbeten mbeturina të hedhura jashtë kontejnerëve, gjë që e vështirëson punën e punonjësve dhe ndikon negativisht në pamjen e qytetit dhe në shëndetin publik.
“Për këtë arsye, ju bëjmë thirrje të gjithëve. Mos hidhni mbeturina jashtë kontejnerëve, pasi kjo pengon pastrimin efikas dhe krijon ndotje. Respektoni oraret dhe vendndodhjet e kontejnerëve për të lehtësuar punën e ekipeve të pastrimit. Mos pengoni qasjen e automjeteve për grumbullimin e mbeturinave që të mos parkoni rreth lokacioneve ku janë kontejnerët. Mbeturinat voluminoze të deponohen në qendrën grumbulluese rruga për në fshatin Trebosh. Le të tregojmë të gjithë kujdes dhe përgjegjësi sepse pastërtia e hapësirave publike është detyrë e përbashkët. Duke bashkëpunuar, ne jo vetëm që mbështesim punën e palodhur të ekipeve tona, por edhe kontribuojmë për një mjedis më të pastër, më të sigurt dhe më të shëndetshëm për familjet tona dhe për gjeneratat që vijnë”, apeluan nga kompania Saubermacher.
Më tej, nga Kompania Saubermacher në Tetovë inkurajon diasporën të kontrollojnë dhe raportojnë çdo pasaktësi të mundshme në të dhënat kadastrale, në mënyrë që të shmangen kostot e panevojshme në të ardhmen.
“Për lehtësinë tuaj, faturat mund të paguhen shpejt dhe lehtë përmes platformave tona online, të tek të cilat ka qasje në çdo kohë. Ftojmë të gjithë së bashku të kujdesemi për qytetin tonë. Një hap i rëndësishëm është shlyerja në kohë e çdo fature të papaguar për menaxhimin e mbeturinave, që na mundëson të mbajmë Tetovën të pastër dhe shërbimet të funksionojnë pa ndërprerje. Bashkëqytetarët tanë në diasporë i inkurajojmë të kontrollojnë dhe raportojnë çdo pasaktësi të mundshme në të dhënat kadastrale, në mënyrë që të shmangim së bashku kosto të panevojshme në të ardhmen. Për lehtësinë tuaj, faturat mund të paguhen shpejt dhe lehtë përmes platformave tona online, të tek të cilat ka qasje në çdo kohë”, kanë bërë të ditur nga kompania Saubermacher.
Ndërkaq, si pika më kritike ku më shumë hidhen mbeturina janë kontejnerët pranë tregut të gjelbër në Tetovë, pranë kazermës, afër marketeve të mëdha dhe në bulevardet kryesore. Nga kjo kompani apelojnë tek qytetarët që të jenë më të kujdesshëm se ku i hedhin mbeturinat inerte sepse të njëjtat nuk janë në kompetencë të kësaj kompanie. (koha.mk)