“VLEN erdhi në pushtet me premtime të mëdha për shqiptarët, por realiteti është krejt i kundërt. Nga premtimet e tyre të shumta, realizimi është zero, ndërsa i vetmi “rezultat” është degradimi i pozitës së shqiptarëve në shtet.
Një nga premtimet madhore ishte decentralizimi. VLEN premtonte më shumë buxhet dhe më shumë fuqi vendimmarrëse për komunat, zhvillim dhe barazi për qytetarët, modele evropiane të decentralizimit si Gjermania dhe Belgjika, si dhe komuna si nivel kryesor shtetëror për investime, administratë, rend civil dhe shërbime publike.
Por, çfarë ndodhi në realitet?
Qeveria VMRO-VLEN është duke përgatitur projektligj për pushtetin lokal më centralizues se kurrë më parë, duke i marrë kompetencat komunave, sikurse vendimi arbitrar për uljen e numrit të këshilltarëve komunal, që prek drejtpërdrejtë përfaqësimin e shqiptarëve, sidomos të mërgatës.Ky vendim u anulua nga Gjykata Kushtetuese, por qeveria dhe shumica parlamentare vazhdojnë ta injorojnë vendimin dhe të mbajnë në fuqi një diskriminim flagrant ndaj shqiptarëve.
Kjo është prova më e qartë se VLEN nuk punon për interesat e shqiptarëve, por vetëm për interesa të ngushta pushteti dhe për llogari të VMRO-së.
Aleanca për Shqiptarët thekson se decentralizimi është shtyllë e Marrëveshjes së Ohrit dhe vlerë evropiane. Çdo tentim për centralizim të pushtetit është hap prapa, dëmton zhvillimin ekonomik dhe thellon pabarazinë mes rajoneve të privilegjuara dhe atyre me shumicë shqiptare.
Nisur nga ky realitet i hidhur, bëhet edhe më e qartë se vendimi i Aleancës për Shqiptarët për të braktisur këtë qeveri antishqiptare dhe koalicionin VLEN ka qenë i drejtë, i qëlluar dhe vizionar. Çdo ditë që kalon dëshmon se ky vendim ishte jo vetëm reagim politik, por edhe alarm i domosdoshëm kundër padrejtësive sistematike që po u bëhen shqiptarëve nga kjo shumicë parlamentare, e cila në vend të barazisë dhe zhvillimit, ka zgjedhur rrugën e centralizimit, diskriminimit dhe degradimit të pozitës së shqiptarëve në shtet.
Shqiptarët nuk meritojnë të mashtrohen me fjalë të bukura, ndërkohë që në realitet qeveria e VLEN-it punon për ta kufizuar fuqinë e komunave dhe për ta dobësuar zërin e shqiptarëve” thuhet në komunukatën e ASH.