“Duhet njeriu të punoje, e çfarë të punoje nuk është e vështirë.”
Zore Trajkovska është një pensioniste e përkushtuar, e cila çdo ditë, pranë dyqanit të vajzës së saj në zemër të Çarshisë së Shkupit, thur me duar çorapë të leshta.
Ky zanat, i trashëguar nga brezat e kaluar, nuk është vetëm një burim i të ardhurave për të, por është një lidhje e gjallë me traditën.
Në një kohë kur veshjet sintetike kanë zëvendësuar ato tradicionale, Zore Trajkovska është një ruajtëse e trashëgimisë. Ajo thotë se, pavarësisht modernizimit ka ende kërkesa për veshmbathje të leshit, të cilat janë natyrale dhe me vlera të veçanta.
“Leshi është i shëndetshëm, më të vjetrit më herët e përdornin shumë dhe tani përsëri kërkohet. Nga e mësuat këtë zanat? Nga mamaja ime. Ajo tani është 93 vjeçare ndërsa unë që në fëmijëri merrem me këtë zanat. Ju jeni pensioniste? Po”, tha Zore Trajkovska – Pensioniste.
Edhe pse temperaturat jashtë janë të larta, kërkesat për çorapë leshi janë të shumta, si nga turistët e huaj po ashtu edhe vizitorët e vendit.
”Kërkojnë të huajit, tanët gjithashtu sepse leshi është i shëndetshëm që të mbahet për reumatizëm, nënë ka dhimbje në këmbë e kështu. Sa kohë u duhet për një palë çorapë leshi që t’i përfundoni? Varet, nëse thur siç duhet, për një ditë mundem t’i përfundoj pasi shpejtë thur, nuk jam e ngadalshme por në përgjithësi kap e lësho. Nëse nuk të ndalojnë turistët të pyesin për çmimet. Po, ashtu është”, shtoi ajo.
Thurja e çorapëve nuk është vetëm një aktivitet i përditshëm i Zore Trajkovskës por ajo e sheh këtë si një mundësi për të kontribuar në jetën e përditshme të familjes dhe për të ruajtur një pjesë të rëndësishme të kulturës vendase. Në çdo fije leshi që ajo thur, siç thotë, ka një histori, një kujtim dhe një dashuri për traditën që ajo vazhdon ta ruaje./Alsat.mk