Emrat e të gjithë kandidatëve për kryetarë komunash do të dihen javën e parë të shtatorit. Kështu u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski për kandidatët e VMRO-DPMNE-së, për garën e kryetarëve të komunave. Partnerët VMRO-DPMNE dhe ZNAM shtoi ai, janë afër marrëveshjes për kandidatë për Kumanovën dhe komunën Qendër.
Micksoki u shpreh se janë duke vazhduar me matjen e rejtingjeve për kandidët për kryetar komunash nga koalicioni qeverisës, duke shtuar se afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave, është 13 shtatori.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Nuk do doja të them se kemi marrëveshje përfundimtare, por jemi shumë afër marrëveshjes. Në këtë drejtim po masim edhe disa komuna, të shohim nëse në ato komuna kandidatët e ZNAM-it ose VMRO-DPMNE –së kanë performanca më të mira tek qytetarët. Dy ose tre komuna të tjera janë afërsisht në fokus të këtyre bisedimeve. Dhe jam i bindur se në fund do të arrijmë një marrëveshje për mbështetje të përbashkët të kandidatëve për kryetarë komunash”.
Kurse sa i përket listave të këshilltarëve, theksoi Mickoski koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të ketë listat e veta, ashtu si dhe partia politike ZNAM do të ketë listat e veta.
Partitë maqedonase dhe ato shqiptare ende nuk i kanë kompletuar të gjithë kandidatët për kryetarë komunash, ndërsa zgjedhjet janë caktuar për më 19 tetor.
Emine Ismaili /SHENJA/