Vitet e fundit kanë shënuar regres në tregun e shitjes së patundshmërive, thonë ndërmjetësit dhe kompanitë që merren me këtë biznes në Dibër. Sipas tyre, blerësit tani janë më të interesuar për blerjen e hyrjeve në banesat kolektive, dhe jo si dikur, kur interesi kryesor ishte për shtëpitë private dhe parcelat në qytet. Ky ndryshim, sipas tyre, lidhet me faktin se fuqia blerëse ka ndryshuar si pasojë e krizës, edhe pse çmimet janë më të ulëta se në të kaluarën.
Në pjesën më të madhe, shtëpitë, objektet afariste dhe patundshmëritë e tjera që janë në shitje në qytetin e Dibrës, blihen nga banorët e fshatrave përreth, kryesisht nga fshatrat Kosovrast i Poshtëm dhe i Epërm, Mogorça, Xhepishte, Otishan, si dhe nga një numër i konsiderueshëm banorësh të Komunës Qendër Zhupë, të cilët blejnë shtëpi veçanërisht në pjesën e epërme të qytetit, konfirmojnë ndërmjetësit dhe kompanitë që merren me këtë biznes. Sipas tyre, deri në 70 për qind të patundshmërive blihen nga banorët e fshatrave përreth, të cilët kërkojnë shtëpi, banesa, objekte afariste dhe troje ndërtimi.
Gjithashtu, dekadën e fundit është bërë trend blerja e banesave në godinat kolektive nga mërgimtarët, të cilat shfrytëzohen vetëm gjatë pushimeve. Ky fenomen është masivizuar vitet e fundit. R. S., që prej disa vitesh është në biznesin e shitblerjes së patundshmërive, thotë se blerësit kryesorë janë banorët dhe mërgimtarët nga fshatrat e periferisë, por tani volumi i shitjeve është i kundërt me atë të para dy ose tre dekadave. “Më parë, shtëpitë ishin më të preferuara, si nga banorët dibranë, ashtu edhe nga mërgimtarët tanë, kryesisht ata që jetojnë në Amerikë. Por kjo tashmë i përket të kaluarës. Dekadën e fundit po bëhen ndërtime masive të ndërtesave kolektive. Akoma pa filluar ndërtimet, ato shiten dhe blihen kryesisht nga mërgimtarët tanë, por ka edhe banorë të Dibrës që i blejnë”, shpjegon ai, duke shtuar se tani ka shumë dibranë që shesin shtëpitë e tyre për të blerë banesa në ndërtesat kolektive, ku çmimet janë më të larta se për shtëpitë.
Ndërtuesit e banesave kolektive po punojnë me ritme të shpejta. Ndërtimet po shfaqen si “këpurdhat” në çdo pjesë të qytetit dhe, ende pa përfunduar, ato shiten. Çmimet variojnë rreth 800 euro për metër katror dhe ka një gamë të gjerë sipërfaqesh, nga më të voglat deri te më të mëdhatë. Interesimi është i madh, sidomos nga mërgimtarët që vijnë për pushime në vendlindje, por edhe nga dibranët që kanë mbetur vetëm me prindërit e moshuar, pasi fëmijët jetojnë në mërgim.
Nexhmija dhe Abibi, dy të moshuar që jetojnë vetëm, thonë se nuk mund të kujdeseshin më për shtëpinë e tyre të madhe për shkak të moshës. “E shitëm shtëpinë, madje me çmim të ulët, sepse nuk kishim më fuqinë e dikurshme. Blemë një banesë, që për ne është më e përshtatshme,” tregojnë ata. Ndërtimet e banesave kolektive kanë zbukuruar pamjen e qytetit, por edhe kanë sjellë betonizimin e Dibrës, thonë banorët. Shumë pak ka gjelbërim, ose thuajse aspak, në oborret e këtyre banesave, gjë që dëmton ambientin jetësor dhe hapësirat për pushim, si për të moshuarit, ashtu edhe për fëmijët. (koha.mk)