Në seancën solemne të mbajtur me rastin e 24-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, deklaroi se qeveria aktuale është e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi që garanton barazi reale dhe jo vetëm formale.
Mexhiti theksoi se pasojat e një barazie formale po ndjehen aktualisht, duke përmendur si shembull kontestimin në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe shfuqizimin e mekanizmit të Balancuesit nga e njëjta gjykatë.
“Qeveria që përfaqësoj është e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi ligjor dhe institucional që garanton barazi reale. Kjo nuk është vetëm një obligim ligjor, por një mision politik dhe moral, sepse pasojat e barazisë formale po i ndjejmë të gjithë sot”, tha Mexhiti.
Duke folur për rolin e Gjykatës Kushtetuese në një shtet multietnik, ai theksoi se kjo gjykatë ka një mision të veçantë: ruajtjen e kohezionit shoqëror dhe garantimin e paqes ndërmjet komuniteteve.
“Gjykata Kushtetuese në një shtet si yni nuk ka vetëm detyrën të mbrojë rendin kushtetues në kuptimin formal, por edhe të garantojë kohezionin ndërmjet komuniteteve. Ajo duhet të jetë mbrojtëse e marrëveshjeve politike dhe mekanizmave që burojnë nga to – siç është edhe Marrëveshja e Ohrit”, tha ai.