Stomatologët nga sot do të mund të aplikojnë për licenca në Ministrinë e Shëndetësisë. Afati për marrjen e tyre do të jetë i njëjtë, ndoshta edhe më i shpejtë, paralajmëroi ministri i shëndetësisë, Azir Aliu. Duke komentuar vendimin e ministrisë që t’ia merr kompetencat Odës së stomatologëve për dhënien e licencave, thotë se kanë vepruar drejtë sepse në të kundërtën, në tetor do të mund të kishte rreth 50% të stomatologëve pa licenca valide.
“Është biseduar me dy fakultetet për stomatologji në Shkup dhe Tetovë, ata shumë shpejtë do të dalin me kurikulum dhe material të cilin ne do ta marrim dhe në bazë të atij materiali do të duhet të organizohen trajnime hibride, hibride do të thotë që të jetë fizikisht këtu në hapësirat e fakulteteve në Tetovë dhe Shkup dhe online do të jetë gjithashtu për kolegë tanë stomatologë nëse nuk mund të jenë prezent apo nëse janë jashtë shtetit”, deklaroi Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.
Metodologjia e marrjes së licencës do të jetë e njëjta por tani ligjore thotë Aliu.
“Qasja dhe metodologjia do të jetë e njëjta por vetëm se do të jetë sipas ligjit. I siguroj të gjithë stomatologët të jenë të qetë. Nga sot vetëm se kemi metodologji të strukturuar dhe algoritëm si do të vijnë nga momenti i aplikimit deri te momenti i marrjes së licencës ose ri-licencimit”, tha Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.
Dje kryetari i Odës së stomatologëve Marjan Denkovski tha se janë realizuar disa kontrolle por nuk janë gjetur parregullsi. /Alsat.mk