Nafie Selmani
Katërmbëdhjetë muaj pas ardhjes në pushtet, publiku bombardohet me lajme për “arritjet” e VLEN-it, kryesisht përmes mediave që i kontrollojnë dhe në rrjetet e tyre sociale me tituj si: “Tre punësime dhe pesë avancime në filan institucion”.
Kryetarë partish që pretendojnë të jenë liderë dhe bartës të proceseve të mëdha politike, ekonomike e kulturore, janë shndërruar në militantë partiakë dhe mburren publikisht e pa u turpëruar me punësimin e ndonjë mësueseje, mjekeje apo referenti. Jo vetëm kaq, por i detyrojnë punësuarit të pozojnë para kamerave, vetëm që vetë të kenë me çfarë të lavdërohen, pa pasur as minimumin e konsideratës për dinjitetin dhe integritetin njerëzor të tyre.
Le të ndalemi pak te “Premtimi për Ndryshim”, te “Meritokracia” dhe “Profesionalizmi” që VLEN-i premtonte me zë të lartë para zgjedhjeve. Në realitet, shumica e punësimeve që ata sot i shesin si arritje janë për nipër, djem, baxhanakë, tezakë, jarana e jaranesha të tyre… Ndërsa qytetari dhe aktivisti i zakonshëm, ai që u ngrit, që foli, që shpresoi, ende pret. Pret Ndryshimin!
Dhe, ky Ndryshim do të vijë, me ose pa dëshirën e kryetarëve të VLEN-it, sepse asgjë nuk mund të mbulojë zhgënjimin që ata vetë e kanë shkaktuar. Një ditë do t’u duhet ta ulin kokën dhe mbulojnë fytyrën (nëse kanë fytyrë) para grave, fëmijëve, prindërve,motrave e familjes së tyre, për Shpresën që thyen, për Premtimin që nuk e mbajtën, për Ndryshimin që nuk e sollën.
P.S. Po, e di, ata do të thonë: “Kështu ka bërë edhe BDI”. Dhe ata e dinë më së miri këtë, sepse vetë kanë ardhur nga BDI-ja. Por, dihet edhe një gjë: BDI, përveç familjarëve të vet, punësonte edhe aktivistë partiakë, për dallim nga këta, që as këtë nuk e bëjnë.
Dhe, kurrë mos harroni: Nuk ju votuam për Përsëritje as për Zëvendësim, por për Ndryshim!