Pas skandalit në Strugë, kur Bashkësia Fetare Islame ftoi në hapjen solemne të një xhamie të re si mysafir special priftin ortodoks Nikolla Xhufka, një prift i vetëshpallur si kryetar i të ashtuquajturës Kishë Ortodokse Autoqefale të Kosovës dhe prift ortodoks.
Më 07 gusht 2025, në Medresenë “ISA BEU”, BFI organizoi një tribunë për ligjin e ri që njeh shkollimin dhe diplomat fetare. Por në këtë aktivitet, nikoqirët nuk ftuan të gjithë koalicionin shqiptar VLEN por në skenë u shfaq vetëm një pjesë e tij. Disa krerë të VLEN, të shoqëruar nga kandidatë për zgjedhjet lokale, u pritën e u nderuan me fjalë miradie e madje edhe me mirënjohje.
Ky detaj ndezi debat në opinion: pse vetëm një pjesë e VLEN? A ishte kjo një manovër për të favorizuar një grup të caktuar dhe për të legjitimuar një krah nga skizma duale institucionale të BFI-së në Myftininë e Tetovës?
Tetova prej dy vitesh ka dy myfti paralelë: Selver Xhemaili, i njohur nga udhëheqja aktuale e BFI-së, dhe Qani Nesimi, që gëzon mbështetje të gjerë dhe është ende i njohur zyrtarisht në gjykata. Fotot e publikuara nga një llogari e paverifikuar e Xhemailit, ku spikasin liderët e VLEN Izet Mexhiti dhe Zeqirja Ibrahimi, vetëm sa ushqyen dyshimet për një kurth protokollar.
Nga ana tjetër, Myftinia e Tetovës e drejtuar nga Qani Nesimi përshëndeti ligjin në një deklaratë publike:
“Për hajr na qoftë vendimi për Shkollat Fetare në RMV, gjegjësisht për zyrtarizimin e Medresesë tonë të dashur ‘Isa Beu’.”
Për shumëkënd, prania e tij në atë tribunë do të kishte qenë e natyrshme, nëse qëllimi ishte vërtet institucional dhe gjithëpërfshirës, e jo një protokoll i përzgjedhur me kujdes.