Osman Ferizi – ish-pjesëtar i grupit të armatosur të udhëhequr nga heroi Sali Çekaj që në dhjetor të vitit 1991 – ka reaguar ashpër ndaj protestës sw organizuar dje nga OVL-UÇK kundwr Gjykatws Speciale.
Ferizi ka shprehur indinjatën ndaj atyre që, sipas tij, e kanë përvetësuar dhe keqpërdorur emrin e luftës për përfitime personale, duke harruar idealin dhe gjakun e dëshmorëve.
Në reagimin e tij, Ferizi ka kritikuar heshtjen e këtyre shoqatave ndaj vrasjeve politike në Kosovë, mungesën e qëndrimeve ndaj drejtësisë së mohuar dhe instrumentalizimin e UÇK-së për pushtet dhe pasuri. Më tej, Ferizi vuri në pikëpyetje moralin e atyre që protestojnë në emër të luftës, por që nuk e nderojnë as flamurin e SHBA-së dhe NATO-s – simbolet e aleancës që ndihmuan çlirimin e Kosovës.
Ai ka rikujtuar se kjo gjykatë u krijua me ndihmën e aleatëve perëndimorë dhe se miliona euro janë shpenzuar për mbrojtjen e atyre që sot akuzohen, në vend që ato para të shkonin për familjet e dëshmorëve dhe zhvillimin e vendit.
Postimi i plotë i Osman Ferizit në Facebook:
Reagim ndaj protestës së djeshme të Shoqatave të ish-UÇK-së
nga Osman Ferizi
Unë, Osman Ferizi, ish pjestar i grupit të armatosur të prirë nga Sali Çekaj më 02.12.1991,ndjej detyrim moral dhe qytetar të reagoj ndaj protestës së organizuar dje nga disa Shoqata të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Këto shoqata, që sot pretendojnë të flasin në emër të luftës dhe vlerave të saj, kurrë nuk e ngritën zërin për vrasjet politike që ndodhën në Kosovë ndaj veprimtarëve të Lidhjës Demokratike të Kosovës( LDK-së), ). Asnjëherë nuk organizuan një protestë të vetme për zbardhjen e këtyre krimeve, për drejtësinë që u mohua dhjetëra familjeve shqiptare.
Unë nuk jam me UÇK-në që u uzurpua nga hajdutët, përfituesit e luftës, zhvatësit e pushtetit, vjedhësit e votave dhe organizatorët e vrasjeve politike. Nuk jam me ata që e morën peng dhe e tradhtuan UÇK-në e vërtetë, atë të komandantëve të lavdishëm si Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha e të tjerë që dhanë jetën për çlirim, jo për pasurim.
Protesta pa flamurin e SHBA-së dhe NATO-s është një fyerje për aleatët tanë që na ndihmuan në momentet më të errëta. Këta flamuj janë simbole të çlirimit tonë dhe nuk mund të fshihen për interesa të ngushta.
Mos u fshihni më pas emrit të UÇK-së. Boll e keni përdhosur.
Sot, ju që flisni në emër të luftës, jeni milionerë që nuk keni punuar asnjë ditë të vetme, ndërsa idealistët që e nisën luftën me zemër të pastër, janë lënë në harresë. Zoti ju marroftë, për përvetësimin dhe keqpërdorimin e sakrificës kolektive të një populli të tërë.
Janë të kota shpifjet se Gjykata Speciale ndikohet nga Serbia apo Rusia. Ajo është një gjykatë e ngritur nga miqtë tanë perëndimorë, nga SHBA, BE dhe vendet aleate – të njëjtat që na ndihmuan të fitojmë lirinë. Të thuash të kundërtën është jo vetëm mashtrim, por edhe fyerje për aleancën tonë me Perëndimin.
E vërteta është kjo: mbi 32 milionë euro janë harxhuar për mbrojtjen tuaj, para të shtetit tonë të varfër, që do të duhej të shkonin për familjet e dëshmorëve, për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, për mbështetjen e veteranëve të vërtetë dhe për zhvillimin e vendit.
Në emër të së vërtetës dhe drejtësisë, po ju them:
Lufta nuk ishte për të pasuruar ju. Lufta ishte për të çliruar.
Kosova nuk rrezikohet por mbrohet nga SHBA, BE…
Osman Ferizi
08.08.2025