Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni ka hapur me ceremoni një xhami të re në rrethinën e Strugës, ku si mysafir ka ftuar Nikolla Xhufkën – një person që është vetëshpallur si kryetar i të ashtuquajturës Kishë Ortodokse Autoqefale të Kosovës.
Xhufka ishte i pranishëm në hapjen solemne të xhamisë më 3 gusht, të dielën, kur kreu i BFI-së, Reisul-ulema haxhi Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Sekretari Irsal Jakupi, dhe përfaqësues të tjerë të BFI-së, inauguruan xhaminë e re në fshatin Tatesh të Strugës.
Ky person nuk njihet nga asnjë Kishë Ortodokse në botë si peshkop legjitim – madje as nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.
Ky “kryepeshkop i vetëshpallur” i të ashtuquajturës kishë e shqiptarëve ortodoksë në Kosovë, shpesh shfaqet në kishat që kontrollon me shallë dhe flamuj.
Kush është Nikolla Xhufka?
Nikolla Xhufka është shtetas i Shqipërisë nga qyteti i Elbasanit. Asnjë kishë e njohur nuk e pranon Xhufkën si klerik të ligjshëm. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë kohët e fundit ka deklaruar se ai paraqitet rrejshëm si prift. Që në vitin 2022, kjo kishë publikoi një njoftim ku thuhet se Xhufka nuk është i njohur nga asnjë kishë e krishterë në ndonjë vend, duke e akuzuar për përhapje të dezinformatave dhe për tallje e përçmim ndaj klerikëve ortodoksë në Shqipëri.
Shkrimtari dhe politikani shqiptar Veton Surroi, në një deklaratë për mediat kosovare “Koha”, e quajti sjelljen e Xhufkës “fenomen i profetëve të rremë, i njohur qysh prej kohëve biblike, por që sot po merr dimension të ri në Kosovë dhe Shqipëri, duke shkaktuar tensione në marrëdhëniet ndëretnike e fetare në rajon.”
Surroi shton se veprimtaria e tij përbën shkelje të kanoneve kishtare, si dhe të ligjit kosovar, i cili e njeh qartë Kishën Ortodokse Serbe si pronare dhe përdoruese të këtyre objekteve fetare.
“Nga aspekti juridik, Xhufka hyn në objekte që tradicionalisht janë pronë dhe në përdorim të Kishës Ortodokse Serbe, çka nuk është vetëm blasfemi, por edhe shkelje e drejtpërdrejtë e rendit juridiko-kushtetues të Kosovës, të bazuar në planin e Ahtisaarit”, shton Surroi.
I lindur si Niko Blazhde në rajonin qendror të Elbasanit, Xhufka u bë lajm kur ai dhe disa ndjekës të tij hynë në një kishë ortodokse serbe të braktisur në fshatin Rakinicë, në verilindje të Kosovës, më 28 nëntor 2023, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe mbajtën një shërbesë fetare. Ndjekësit e tij mbanin flamuj me simbole nacionaliste shqiptare, duke shkaktuar një reagim të ashpër nga Kisha Ortodokse Serbe.
Gjashtë muaj pas hyrjes në kishën e Rakinicës, afër Podujevës, policia e Kosovës arrestoi Xhufkën; ai u mbajt në paraburgim për tre ditë dhe më pas u lirua./Almakos.com
Burimi: Religija.mk dhe Reporter.AL BIRN