Nga VMRO-DPMNE kanë kërkuar sërish sot dorëheqjen e kryeprokurorit Ljupço Kocevski dhe kanë akuzuar opozitën LSDM-BDI se janë “pronarët” e Kocevskit dhe se ata e mbajnë atë në detyrë për t’i ikur përgjegjësisë për krimet që kanë bërë. Nga atje thonë se LSDM ka robëruar prokurorinë nëpërmjet kryeprokurorit Kocevski dhe se ai është një kukull në duart e LSDM-së, pasi siç thonë ata ai e zgjodhi vetë atë rol në momentin kur nuk dha dorëheqje vetë por priste që LSDM t’i jepte një litar për ta shpëtuar në Kuvend.
BRANE PETRUSHEVSKI, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË
“Kryeprokurori Kocevski mori karton të kuq në Parlament me interpelancën e votuar dhe në vend që të tregonte përgjegjësi dhe të jepte dorëheqje, ai zgjodhi me çdo kusht të ulej në një kolltuk të rehatshëm dhe të mbronte LSDM-në nga përgjegjësia. Është mjaftë e qartë pse për një vit e gjysmë nuk ka pasur asnjë çështje të përfunduar për zyrtarët e LSDM-së që kanë vjedhur shtetin për 7 vjet”.
Nga VMRO-DPMNE thonë se dëmi që Kryeprokurori Kocevski dhe LSDM-ja po i shkaktojnë gjyqësorit është i jashtëzakonshëm, duke shkatërruar çdo besim dhe integritet. “Ata duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë”, thonë ata.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/