Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është miratuar vendimi për themelimin e shkollës fillore “Azem Morana” në fshatin Moranë, Komuna e Studeniçanit. Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, i cili e cilësoi këtë si një akt nderimi për figurën e Azem Moranës — mësues, patriot dhe luftëtar i arsimit shqip.
Mexhiti tha se themelimi i kësaj shkolle është rikthim i figurës së Moranës përmes një institucioni që do të edukojë breza të rinj me dije dhe ndërgjegje kombëtare. Ai e quajti vendimin një borxh të vonuar ndaj një njeriu që jetën ia kushtoi arsimit dhe idealit të lirisë.
“Shkolla ‘Azem Morana’ do të jetë një tempull kujtese dhe një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm,” theksoi Mexhiti.