Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e dyshuar të vendosjes së lëndës plasëse në garazhin e Elvis Kosovës, i njohur si “Visi i Garave”, ngjarje e ndodhur më 24 korrik 2025 në rrugën “Peti”, zona e Liqenit të Thatë.
Në pranga është shpallur në kërkim 36-vjeçari Klodian Steli, banues në Fushë-Krujë, i cili dyshohet se ka vendosur sasinë e tritolit në portën e garazhit.
Si u zbulua autori
Grupi hetimor ka përfituar në mënyrë të konsiderueshme nga kamerat e sigurisë, të cilat kanë dokumentuar itinerarin e autorit pas vendosjes së eksplozivit. Pamjet tregojnë se Steli është futur në një pyll pranë Liqenit të Thatë, ku ka qëndruar rreth 30 minuta me qëllim për të humbur gjurmët dhe më pas është larguar në këmbë në një rrugicë tjetër.]
Ai është parë duke u drejtuar drejt një automjeti, me të cilin është larguar nga vendi i ngjarjes. Mjeti rezultoi i marrë me qira në Fushë-Krujë, detaj ky që bëri të mundur identifikimin e autorit të dyshuar.
Ndaj tij është lëshuar urdhër arresti, ndërkohë që nga hetimet rezulton se ai është larguar jashtë territorit të Shqipërisë që ditën e ngjarjes.
Pamjet e shpërthimit
Pak ditë më parë u publikuan edhe pamjet e para pas shpërthimit, ku duken automjete të dëmtuara dhe shërbimet e emergjencës në vendngjarje. Kamerat e sigurisë nuk kanë kapur momentin e vendosjes së tritolit, por dokumentojnë pasojat menjëherë pas shpërthimit.
Si pasojë e ngjarjes pati persona të lënduar lehtë, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi u shkatërruan disa automjete të parkuara pranë garazhit të 39-vjeçarit Elvis Kosova.
Policia bën të ditur se vijojnë veprimet intensive për lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar
Elvis Kosova me precedent
39-vjeçari eshte arrestuar me pare, në gusht të vitit 2024 për shkak se u akuzua për vjedhjen e nje Audi R8 me vlerë 200 mijë euro.
Lidhur me këtë rast, së bashku me të u vu në pranga edhe shtetasin turk, Yucehan Er.
Sipas njoftimit të policisë në atë kohë, 39-vjeçari turk Yucehan Er, banues në Gjermani, kishte marrë një automjet me qira, të cilin e solli në Shqipëri dhe më pas ka bërë kallëzim të rremë se ia kishin vjedhur në afërsi të një hoteli në Tiranë.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se Yucehan Er ia kishte dhënë automjetin Elvis Kosovës dhe ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e tij për qëllime përfitimi.
Pasi ka zbuluar skemën, gjatë kontrollit në oborrin e një banese në fshatin Prush, blutë gjetën të parkuar automjetin tip “Audi”, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 aparate celulare. Në kërkim, në atë kohë, u shpall edhe një 20-vjeçar, pronari i baneses ku ishte parkuar makina.