Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar me ashpërsi ndaj thirrjeve të urrejtjes raciste të dëgjuara gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë, ku shënjestër e sulmeve verbale ishin shqiptarët.
Në një deklaratë publike, Meidani theksoi se “gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport dhe në asnjë segment të shoqërisë”, duke e cilësuar incidentin si një “alarm serioz që kërkon reflektim të menjëhershëm.”
Ai i bëri thirrje autoriteteve më të larta shtetërore të Maqedonisë së Veriut për një reagim të qartë, të fortë dhe të pakompromis, për të parandaluar përshkallëzimin e gjuhës së urrejtjes dhe dhunës etnike.
“Bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm, respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo,” shkroi ambasadori në reagimin e tij.
Sipas raportimeve, gjatë ndeshjes janë dëgjuar kore të rënda si:
“Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur.”
“Dhoma e gazit për shqiptarët.”
“Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër.”
Këto thirrje, që rikujtojnë retorikën më të errët të shekullit të kaluar, kanë ngjallur zemërim dhe frikë në mesin e opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar.
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për ndëshkim të përgjegjësve dhe hetim të plotë, ndërsa kërkohet që sporti të mos përdoret si platformë për përhapjen e urrejtjes.
Ambasadori Meidani paralajmëroi se heshtja institucionale përballë urrejtjes raciste nuk është neutralitet, por bashkëfajësi.