Zjarri që përfshiu malin në Komunën e Zhelinës tashmë ka arritur në afërsi të fshatit Cerovë. Banorët, zjarrfikësit, ekipet komunale të Zhelinës dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim qëndruan në terren deri në orët e mëngjesit për ta lokalizuar zjarrin dhe për të mos lejuar që ai të përhapet deri te vendbanimi i Cerovës.
Komandanti i Njësisë Kundër Zjarrit, Avni Ahmeti, tha se kjo njësi tashmë nëntë ditë me radhë është në kujdestari 24-orëshe në këtë zonë. Vetëm gjatë ditës së djeshme, sipas tij, janë kryer 20 intervenime në rajonin e Tetovës.
Kryetrari i komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu thotë se banorët fshatit Cerovë kanë qenë të shqetësuar, por sipas tij për momentin nuk ka rrezik.
Zjarri në komunën e Zhelinës u ndez të shtunën që kaloi, ndërsa për shkak të erërave të forta i njëjti u përhap edhe në pjesën tjetër të malit ku është edhe fshati Cerovë. Sipas kryetarit të komunës së Zhelinës zjarri është i qëllimshëm pasi në tre lokacione të ndryshme kanë gjetur tre goma të ndezura.