Për një vit VMRO-DPMNE po rikthen të gjitha projektet nacionaliste dhe diskriminuese. Vendimi i fundit për “revitalizimin” e dy muzeve në Kalanë e Shkupit nuk është asgjë tjetër, vetëm se vazhdim i projektit famëkeq për ndërtimin e muzeve për falsifikimin e historisë dhe të vërtetës për Kalanë.
I dijmë qëllimet e kësaj qeverie monoetnike, e kësaj udhëheqësie të VMRO-së e cila është vetëm vazhdimësi e Gruevskizmit, që tani po lehtësohet e mbështetet edhe nga vasalët shqiptarë në Qeveri. Kjo dëshmohet edhe me vetë faktin se asnjëra nga partitë shqiptare në Qeveri, as zëvendës ministri i kulturës nga radhët e tyre, nuk kanë reaguar dhe as i pyet dikush për atë që po përgaditet të ndodh në Kalanë e Shkupit.
Tendecat e këtilla kalojnë çdo kufi të tolerancës, prekin rëndë ndjenjat kombëtare të shqiptarëve si dhe historinë tonë shekullore. Kujtojmë se një projekt i tillë që në fillim pati nxitur tensione ndëretnike me pasoja afatgjate, andaj i bëjmë thirje Qeverisë që të heq dorë nga këto plane ogurzeza për të ardhmen e vendit dhe kohezionin ndëretnik.