Rituali i Dollisë Shqiptare është shpallur zyrtarisht Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, në një vendim të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili ndau në rrjetet sociale momente simbolike të këtij riti tradicional shqiptar, duke e cilësuar atë si një shprehje të pastër të mikpritjes dhe respektit të ndërsjellë.
Ai thekson se qëllimi kryesor i dollisë është respekti dhe kushtimi i vëmendjes ndaj mikut, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e bujare në sofër.
https://www.facebook.com/share/v/1FhsaLUxx2/?mibextid=wwXIfr
Postimi i plotë
Rituali i Dollisë prej sot njihet si Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë sonë, pas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
Dollia është një dukuri zakonore në formën e një rituali familjar që ka të bëjë në radhë të parë me bashkimin e njerëzve në raste familjare ose shoqërore dhe përfaqëson një shkallë të lartë të mikpritjes shqiptare.
Dollia ka si objekt respektimin dhe kushtimin e vëmendjes ndaj mikut, me krijimin e një klime të ngrohtë dhe bujare për të.
Si karakteristikë e mirëfunksionimit dhe rregullave në sofër, ka qenë prania e dollibashit si i pari i tavolinës dhe përballë tij e pritësit të dollisë të cilët janë të ndryshueshëm në rolin e tyre. Marrëdhënia mes tyre ka të bëjë me urimet e ndërsjellta dhe respektin reciprok të palëve, sjellje kjo e cila demonstrohet përballë të gjithë miqve të ftuar në sofër.
Rituali i Dollisë gjatë shekujve ka marrë trajtën e një kodi moral të respektuar dhe zbatuar në të gjithë hapësirën tonë, në të cilën ndërlidhen shumë elemente të tjerë të trashëgimisë sonë shpirtërore.