Ushtria po modernizohet dhe ne po forcojmë kapacitetet mbrojtëse të vendit përmes prokurimit të pajisjeve të reja ushtarake në përputhje me standardet e NATO-s, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski.
Në një ceremoni ku morën pjesë pjesëtarë të Ushtrisë, Ministri i Mbrojtjes dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, Mickoski theksoi se janë zbatuar dy kontrata që sjellin rezultate konkrete për sistemin mbrojtës të Maqedonisë.
“Jam krenar të njoftoj se Ministria e Mbrojtjes ka zbatuar me sukses dy kontrata të rëndësishme për prokurimin e pajisjeve të reja moderne ushtarake – pajisje që janë plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s.
Ky nuk është vetëm një prokurim. Ky është një vizion për Maqedoninë si një anëtare e qëndrueshme, e sigurt dhe e përgatitur e Aleancës së NATO-s. Ky është një mesazh se shteti po bëhet një forcë që qëndron në këmbët e veta”, tha Mickoski.
Në kuadër të kontratës së parë, siç tha ai, janë blerë dhe tashmë janë dorëzuar gjashtë obusë – sisteme të fuqishme artilerie që do të forcojnë kapacitetin e Ushtrisë sonë. Së bashku me to, parashikohet edhe furnizimi me municione me rreze të rritur veprimi, dorëzimi dhe pagesa e të cilave janë planifikuar për vitin 2026.