Në vitin e ri shkollor, Inteligjenca Artificiale do të bëhet pjesë e procesit mësimor për nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se Intelegjenca Artificiale do të gjej zbatim në lëndë të ndryshme nga mësimdhënës të cilët tashmë janë trajnuar për këtë fushë.
“Me inteligjencën artificiale, mund të merrni oraret e mësimeve dhe oraret e mësuesve brenda një deri në dy minutash, mund të zgjidhë nevojat e tyre të kontabilitetit, mund të bëjë plane mësimi për mësuesit, nëse ka të dhëna mbi temën që mësohet, mund të bëjë teste, ushtrime dhe shumë të tjera. Fëmijët mund ta përdorin atë në një platformë për të praktikuar, zgjidhur probleme, për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi një temë specifike në librin shkollor. E gjithë kjo do të jetë shumë më e shpejtë dhe do të jetë në përputhje me atë që po ndodh në botë në këtë moment. Përfitimi më i madh i inteligjencës artificiale për nxënësit do të jetë se do t’i bëjë ata të mendojnë dhe se do t’u ofrojë atë që u mungon fëmijëve tanë sipas testimit PISA”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Për të futur inteligjencën artificiale në mësimdhënie, Ministria e Arsimit dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit do të kenë mbështetje nga ekspertët e institucionit privat të arsimit të lartë që operon nën markën Brainster.
“Ne besojmë se së bashku mund të ndërtojmë një sistem arsimor që jo vetëm ndjek trendet globale, por edhe merr pjesë aktive në përcaktimin e tyre. Të rinjtë meritojnë përgatitje cilësore në mënyrë që të krijojnë një të ardhme më të mirë për Maqedoninë”, u shpreh Petar Ninovski, Brainster.