Komuna e Gostivarit ka siguruar financim për 49 projekte të ndryshme përmes kredisë hungareze, pas një procesi të kujdesshëm aplikimi.
Këto projekte përfaqësojnë një hap konkret drejt zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit dhe përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët e Gostivarit, në fusha të rëndësishme si infrastruktura, arsimi, mjedisi dhe shërbimet publike.
Informacioni bëhet i ditur në rrjetet sociale nga Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, i cili shprehet:
“Ky është një moment krenarie për të gjithë ne. Arritja e 49 projekteve të financuara nga kredia hungareze është rezultat i përkushtimit dhe profesionalizmit të ekipit tonë. Pas një pune të palodhur, me qindra dokumente të përgatitura me saktësi dhe ide të mirëstrukturuara, kemi arritur të sigurojmë një mbështetje të rëndësishme financiare që do t’i shërbejë drejtpërdrejt qytetarëve tanë. Falënderoj gjithashtu edhe Qeverinë për gatishmërinë dhe korrektësinë e treguar gjatë këtij procesi.”
Sipas asaj që sqaron Limani, projektet e miratuara do të nisin së zbatuari në faza, sipas prioritetit dhe rëndësisë strategjike për qytetin dhe rrethinën.