Kur e morëm përgjegjësinë për ta udhëhequr shtetin, hasëm në institucione të ngulfatura në një rrjet abuzimesh, klientelizmi dhe korrupsioni sistematik. Korrupsioni nuk ishte përjashtim – ishte rregull. Drejtësia ishte selektive. Qeveria ishte në shërbim të interesave të fuqishme, e jo të qytetarëve. Kjo ishte pamja që trashëguam. Prandaj, një nga betejat e para dhe më të vendosura që e nisëm ishte pikërisht – lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Në këtë betejë, sot kemi edhe një konfirmim të parë të madh nga bashkësia ndërkombëtare. Pas vitesh të errësirës institucionale, raporti i GREKO-s i publikuar dje është një sinjal se Maqedonia ecën përpara – drejt një sistemi funksional.
Këtë e ka thënë kryeministri Hristijan Mickoski në seancën e sotme të Komitetit nacional për parandalim të ekstremizmit të dhunshëm dhe luftës kundër terrorizmit.
Mickoski tha se GREKO konfirmoi se Maqedonia po e braktis epokën e drejtësisë selektive dhe paprekshmërisë politike.
“Me mbylljen e procedurës për harmonizim, Grupi i shteteve kundër korrupsionit pranë Këshillit të Evropës dërgoi mesazh të qartë: se ka rezultate të dukshme, përmirësime konkrete dhe vullnet të fuqishëm politik për t’u shkëputur nga praktikat e vjetra. Kjo nuk është vetëm një mirënjohje administrative – është një konfirmim institucional”, ka thënë kryeministri.
Sipas tij, për herë të parë pas shumë kohësh, shteti nuk është objekt i kritikës, por i mirënjohjes – për përparim serioz në luftën kundër korrupsionit.
“Kjo na nxit, por edhe më shumë na ngarkon me përgjegjësi. Lufta kundër korrupsionit nuk është deklaratë – por ndryshim sistemor që tani fiton edhe konfirmim ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Mickoski tha se puna e Komitetit nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit ka një rëndësi të veçantë për stabilitetin, sigurinë dhe rezistencën e shtetit.
“Seancën e sotme nuk e trajtojmë vetëm si koordinuese, por si një pikë thelbësore në një përpjekje më të gjerë: përpjekje për të krijuar një sistem që i njeh në kohë rreziqet, reagon në mënyrë efikase dhe siguron mbrojtje afatgjatë për qytetarët. Ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi nuk janë vetëm kërcënime për sigurinë – ato janë tregues të dobësive më të thella në sistem. Prandaj lufta kundër tyre nuk mund të jetë e izoluar, por duhet të zhvillohet paralelisht me forcimin e institucioneve, shtetit të së drejtës dhe besimit publik”, tha ai.
Ai tha se ekstremizmi, radikalizimi dhe dhuna zakonisht lulëzojnë atje ku shteti është i dobët, e institucionet janë të korruptuara. Prandaj, strategjia jonë është e qartë: ndërtimi i një shteti të sigurt, me institucione funksionale, polici profesionale dhe një shoqëri rezistente.
“Ky Komitet nuk është simbolik, por një instrument operativ. Dhe pres nga të gjithë pjesëmarrësit – të sigurisë, të shoqërisë, të arsimit dhe të vetëqeverisjes lokale – të veprojnë në mënyrë të koordinuar, pa vonesa dhe pa kalkulime. Vazhdojmë me të njëjtën seriozitet, pa eufori, por me vetëdije të plotë. Sepse beteja për një Maqedoni stabile, të sigurt dhe të drejtë nuk fitohet me fjalë – por me vepra”, ka thënë Mickoski gjatë fjalimit në seancë.