Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i mirëpriti planet e presidentit amerikan, Donald Trump, për të furnizuar Ukrainën me armë “në shkallë të gjerë”.
“Presidenti Trump dhe unë e kemi diskutuar këtë disa herë gjatë ditëve të fundit. E kam siguruar: Gjermania do të luajë një rol aktiv”, shkroi Merz në platformën X.
Trump tha se do të dërgojë sisteme mbrojtëse ajrore – Patriot, për ta ndihmuar Kievin që të mbrohet nga Rusia, por se kostot do të mbulohen nga Bashkimi Evropian.
Më herët, Merz ka shprehur gatishmërinë e Gjermanisë për të blerë sisteme Patriot nga SHBA-ja për Ukrainën.
Raportohet se bëhet fjalë për dy sisteme, ndërsa një tjetër do të financohet nga Norvegjia.
Ukraina ka bërë të ditur se ka nevojë për gjithsej dhjetë sisteme të tilla.
“Po e bëjmë këtë për interesin tonë”, tha Merz.
“Kjo do t’i ndihmojë ukrainasit të mbrohen nga terrori i bombardimeve ruse. Vetëm në këtë mënyrë do të rritet presioni mbi Moskën që të ulet në bisedime për paqe. Në fund të fundit, po tregojmë se jemi të bashkuar si partnerë në politikën e sigurisë”, shtoi ai.
Sipas tij, tani janë duke u sqaruar detajet, ndërsa Qeveria gjermane është në kontakt me partnerët ndërkombëtarë.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjendet në Uashington për bisedime mbi këtë çështje.
Pistorius – past takimit me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth – tha se dërgimi i dy sistemeve Patriot në Ukrainë është në përgatitje e sipër.
Ai tha se dorëzimi do të financohet nga Gjermania, por se detajet e fundit teknike, logjistike dhe financiare ende duhet të sqarohen.
Ukraina ka nevojë urgjente për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, theksoi Pistorius./REL